KMDLNj kundërshton ndalimin e mundshëm të kandidimit të Kurtit

KMDLNj kundërshton ndalimin e mundshëm të kandidimit të Kurtit

13:45, 12/01/2021

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Lirive të Njeriut, ka komentuar situatën e fundit politike në vend.

Përmes një komunikate për media KMDLNj thotë se kontribut shumë të madh që të krijohet një situatë gjysmëkaotike e ka dhënë Gjykata Kushtetuese me një vendim, i cili sipas tyre është puro politik.

Sipas tyre me këtë vendim u dha hapësirë për zbatim të standardeve të dyfishta.

Përmes komunikatës, ky Këshill ka kundërshtuar ndalimin e mundshëm të Albin Kurtit dhe të tjerëve për kandidim në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Gjykata Kushtetuese e Kosovës e cila, pa një mandat kushtetues urdhëroi që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme shkaku se e shpalli të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi. Po në atë vendim që ishte jashtë çdo logjike juridike, Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori rolin e gjykatave të tjera duke e ndaluar kandidimin për deputetë të gjithë atyre që në tri vitet e fundit janë dënuar, me një vendim të plotfuqishëm për ndonjë vepër penale, pa e specifikuar natyrën e veprës dhe nëse ky vendim i gjykatës prodhon efekt dhe pasoja juridike”, thuhet në njoftim.

KMDLNj vlerëson se ndalimi i kandidimit për deputetë është i padrejtë dhe kundër të drejtave të njeriut “sepse u mohohet e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, pa një vendim të gjykatës kompetente, si masë shtesë, masë mbrojtëse apo ndalim të ushtrimit të veprimtarisë për një periudhë të caktuar kohore”.

KMDLNj thotë se e kundërshton vendimin eventual që pamundëson pjesëmarrjen në zgjedhje për Albin Kurtin, Donika Kadaj – Bujupi, Faton Topalli, Albulena Haxhiu dhe shumë të tjerë, si shkelje të të drejtave të njeriut për faktin se, siç theksojnë, asnjëri nga ta nuk ka ndalesë ligjore nga gjykatat që kanë marrë vendim të formës së prerë për dënimin e tyre.

“Gjykata Kushtetuese ka pasur mundësi të propozojë që në zgjedhjet tjera të vendoset ky standard juridik dhe që do të ishte detyrues për të gjithë. Në rastin konkret do të dëmtoheshin kandidatët që, me këtë vendim do të pamundësohen të garojnë për deputetë por do të favorizoheshin subjektet politike të këtyre deputetëve. T’ua mohosh të drejtën për t’u zgjedhur kandidatëve, në rastin konkret, Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Donika Kadaj – Bujupi dhe Faton Topalli, që në zgjedhjet e fundit kanë fituar mbi 250.000 vota, është nonsens i llojit të vet, jonormal dhe kundër logjikës së shëndoshë! Ta bësh këtë me pretekstin se me këtë veprim ruhet dhe mbrohet integriteti i deputetit të Kuvendit të Kosovës është përqeshje pikërisht me këta deputetë për faktin se, nëse Albin Kurti zgjidhet kryeministër i ardhshëm i Kosovës ndërsa të tjerët janë ministra të mundshëm, po këta deputetë do t’i votojnë kandidatët të cilëve iu është mohuar e drejta e garimit për deputetë”, thuhet tutje në njoftim.

KMDLNj tutje ka komentuar vendimin e KQZ-së që të telefonohen votuesit në diasporë, dhe nëse përgjigja mundon, votuesit të hiqen nga lista.

Në njoftim thuhet se standardi i vendosur përmes votimit, si mjet demokratik duhet të pranohet nga të gjithë, pa përjashtim.

KMDLNj ka kundërshtuar sulmet ndaj kryetares së KQZ-së Valdete Daka për këtë vendim, duke shtuar se të gjitha partitë politike kanë përfaqësues.

“KQZ-ja me një vendim që u votua nga të gjithë anëtarët e KQZ-së, e që sipas KMDLNj–së është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe të drejtat e njeriut, u përcaktua se verifikimi i votuesve nga diaspora të bëhet përmes thirrjes telefonike dhe nëse mungon përgjigja në këtë thirrje, ai votues të hiqet nga lista e votuesve. Të gjitha subjektet politike, në përputhje me fuqinë politike që përfaqësojnë në Kuvendin e Kosovës, kanë përfaqësues në KQZ. KMDLNj e kundërshton fuqishëm sulmin që i bëhet kryetares së KQZ-së, znj. Valdete Daka, pas votimit unanim të këtij vendimi duke e konsideruar si përpjekje për manipulim të votave nga diaspora aq më parë që edhe dy përfaqësues të LVV kanë votuar për këtë vendim”, thuhet në njoftim.

KMDLNj ka ftuar të gjitha subjektet politike dhe kandidatët të bëjnë fushatë të qetë, të jenë të matura dhe të kujdesshme në premtimet që i bëjnë

“Qytetarët kanë nevojë imediate për një gjyqësi profesionale dhe të pavarur që do të luftojë dukuritë negative që thelbësisht ndikojnë në cilësinë dhe sigurinë e jetës së qytetarit – votuesit. Antiamerikanizmi apo proamerikanizmi janë kartë e djegur në përpjekje të manipulohet votuesi dhe të diskreditohet kundërshtari politik. Gjithashtu, mendësia se qytetarët e Kralevës (Serbi) janë të ofenduar nëse krahasohen me votuesit e PDK-së është cilësim krejtësisht racist dhe në kundërshtim me të gjitha normat morale e që aspak nuk kontribuojnë për një debat konstruktiv parazgjedhor për faktin se zgjedhjet nuk po mbahen në Serbi por në Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco