Hoti: Kërkesa për pavarësi u legalizua nga LDK-ja dhe prijësi popullor Rugova

Hoti: Kërkesa për pavarësi u legalizua nga LDK-ja dhe prijësi popullor Rugova

13:09, 02/12/2020

Në ditëlindjen e presidentit Ibrahim Rugova është zbuluar shtatorja e tij në qendrën e Istogut.

Atë e zbuloi vajza e tij Teuta Rugova, kryeministri Avdullah Hoti dhe kryetari i Istogut Haki Rugova.

Skulptor i shtatores së Rugovës ishte Gëzim Muriqi.

Ndërkaq, Haki Rugova në fjalën e tij ka thënë se është një ditë tepër e rëndësishme e tij që ka arritur ta bëjnë zbulimin e shtatores së tij dhe Kompleksin Memorial “Dr. Ibrahim Rugova”.

“Ta dinin një gjë. Kjo është bërë me taksat e Istogut, pra këto taksa kanë qenë burimet e financimit.  Prandaj, falënderimi kryesor është për qytetarët e Istogut”.

Kurse kryeministri Hoti fjalën e tij e nisi duke thënë se i ka thënë kryetarit të Istogut Haki Rugova se do të jetë e pamundshme të zbatohen masat që i ka vendosur ministri i Shëndetësisë, meqë numri do të jetë i madh i qytetarëve që do të shkojnë për ta nderuar figurën e presidentit historik, njofton Klan Kosova.

“Kjo shtatore është shenjë e kujdesit dhe nderimit të përhershëm të qytetarëve për prijësin e vendit dhe ideatorin e Republikës së pavarur dhe të lirë të Kosovës. Istogu po kthen simbolikisht djalin që ia dha Kosovës. Ky qytet fatlum do të ketë edhe një shenjë më shumë në identitetin e tij të pasur – shtatoren e njeriut që priu në epokën më të lavdishme që identifikohet shteti i Kosovës”.

Hoti ka thënë se Rugova, një djalë i rritur pa babanë e rrëmbyer nga komunistët, do të kthehej në një simbol të Kosovës që formimin e tij intelektual e vuri në shërbim të shtetndërtimit të Kosovës, në një kohë të shpërbërjes së rrëmujshme të Jugosllavisë.

“Rugova në frymën e Bogdanit dhe pasuesve të tij e drejtoi Kosovën drejt Europës. Rugova e mori në dorë fatin e populli të Kosovës në një periudhë të rëndë. Kërkesa e kamotshme për mëvetësi u legalizua nga LDK-ja dhe prijësi i saj Ibrahim Rugova”.

Me thënien e Rugovës, “Shtëpia pa miq nuk mbahet”, Hoti ka thënë se do të vazhdojë amanetin e tij për të mbajtur lidhjet miqësore me vendet aleate të Kosovës, veçanërisht me SHBA-në dhe se do të mundohet të arrijë synimet për anëtarësim të plotë në organizatat ndërkombëtare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco