Specialja në dorën e Kushtetueses, shfuqizimi me pasoja të rënda për Kosovën

Specialja në dorën e Kushtetueses, shfuqizimi me pasoja të rënda për Kosovën

13:35, 22/10/2020 Nga Albionë Zhitia

Gjykata Speciale ka trazuar skenën politike kosovare me publikimin e propozim aktakuzës ndaj Presidentit Hashim Thaçi e kryetarit të PDK-së Kadri Veseli.

Tentimi për shpërbërjen e saj bëri që Zyra e Prokurorit të Specializuar ta bëjë publik këtë informacion.

E ‘lufta’ e Thaçit për shfuqizimin e kësaj gjykate si duket po e ‘frikëson’ këtë të fundit. Para pak ditësh Zyra për media pranë Dhomave të Specializuara doli me një deklaratë për ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për vazhdimin e mandatit të Gjykatës Speciale, në fakt kanë për qëllim kryesor t'i zhbëjnë ose t'i bëjnë të pavlefshme veprimet e Prokurorisë së Specializuar.

Njoftimi është bërë në faqen zyrtare të zyrës së Prokurorit të Specializuar, pas kërkesës së presidentit Thaçi për sqarime shtesë rreth ndryshimeve kushtetuese për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara, apo, siç njihet në opinion, Gjykata Speciale.

Shfuqizimi i Gjykatës Speciale po del të jetë procedurë me pengesa, por edhe e dëmshme për Kosovën.

Sipas juristit Riza Smka, juridikisht ndryshimi i nenit 162 mund edhe të bëhet, por kërkon respektimin e disa procedurave ligjore që duhet ndjekur por edhe vullneti i deputetëve.

Ai thotë për Syri.net se politikisht ky ndryshim do të ishte i dëmshëm pasi do të konsiderohet si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

“Në aspektin juridik mund të bëhen ndryshimet e kërkuara, mirëpo politikisht kjo gjë do të ishte shumë e dëmshme për vendin, pasi në sferën ndërkombëtare do të ngjallte reagime e do të kishte pakënaqësi dhe situata të pavolitshme për Kosovën. Në këtë situatë që jemi, nuk bën të kemi ndërhyrje të tjera për asnjë lloj ndryshimi apo shtim të amandameteve të tjera. Ne e dimë se kemi një shtet të korruptuar e me politikanë që punojnë për interesat personale e jo shtetërore, por është momenti që të mos bëjmë më shumë dëme ndaj shtetit tonë ”.

Ndërsa drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, duke folur për Syri.net, thotë se momentalisht Kuvendi, por as ndonjë institucion tjetër, nuk kanë kompetenca për të marrë vendime në lidhje me Gjykatën Speciale.

“Gjykata Kushtetuese e Gjykatës Speciale është në proces të shqyrtimit të mocionit të paraqitur nga Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me mandatin e Gjykatës Speciale. Në këtë drejtim, deri në aktgjykimin e kësaj gjykate, Kuvendi i Kosovës, por as ndonjë institucion tjetër, nuk ka mandat dhe kompetencë të marrin vendime apo veprime lidhur me Gjykatën Speciale. Çdo veprim do të mund të konsiderohej si ndërhyrje dhe pengim në funksionimin e kësaj gjykate” – u shpreh Miftaraj.

Kuvendi i Kosovës më 3 gusht të vitit 2015 pati miratuar me procedurë të përshpejtuar Ligjin për Gjykatën Speciale. Miratimi ishte bërë me shumicë votash, por pa pjesëmarrjen e partive të opozitës, të cilat atë kohë i bojkotuan punimet e Kuvendit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco