Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike ngjall debat në Kuvend

Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike ngjall debat në Kuvend

13:11, 21/09/2020

14:30 - Rezolutën që lidhej me interpelancën e ministrit Veliu s'ka kush ta votojë
Mospjesëmarrja në votim e deputetëve ka bërë që të mos kalojë rezoluta e LVV-së e propozuar pas interpelancës së ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Serbisë në territorin në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës. Kjo pasi në votim kanë marr pjesë vetëm 23 deputetë.

Në pikën të kësaj rezolute është kërkuar që “Institucionet e Kosovë të ndërmarrin masat e nevojshme dhe t’i përdorin të gjithë mekanizmat kushtetues e institucional për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”.

Ndërsa në pikën e dytë është kërkuar që brenda dy muajve të vendoset një nënstacion i Policisë së Kosovës në fshatin Karaçevë të komunës së Kamenicës.

14:20 -  Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike ngjall debat në Kuvend

Një debat është zhvilluar në mes të deputetëve pas propozimit të deputetes së AAK-së, Teuta Haxhiu, e cila ka kërkuar nga grupet parlamentare që ta kthejnë për votim Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, të propozuar nga Qeveria.

Me këtë kërkesë nuk janë pajtuar PDK-ja e LVV-ja.

Shefi i deputetëve të PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se për më shumë se 6 muaj janë duke pritur që iniciativat e tyre ligjore të shqyrtohen. Ai ka thënë se tashmë e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre se duan që ligji i propozuar nga Qeveria, të inkorporohet Projektligji për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë COVID-19, i propozuar nga ta.

Shefi i deputetëve të LVV-së, Rexhep Selimi, ka thënë se numrat për ta kaluar një ligj i ka ose duhet t’i ketë koalicioni qeveritar.

“Nëse si keni numrat për të kaluar një Projektligj atëherë nuk i keni numrat as për të qeverisur”, ka theksuar Selimi.

Ndërkohë që në emër të LDK-së, Arben Gashi, ka kërkuar që të votohet ligji i Qeverisë dhe që propozimet e partive opozitare të inkorporohen në të.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se as proceduralisht kjo pikë nuk mund të futet në votim pasi që plotësim ndryshimi i rendit të ditës do të mund të ndryshohet vetëm në fillim të seancës e jo në vazhdim të saj.

Një gjë e tillë sipas saj do të mund të bëhej vetëm me dy të tretat e votave të deputetëve.

14:09 - Rezoluta e Lëvizjes Vetëvendosje e nxjerrë pas raportimit të kryeministrit Avdullah Hoti lidhur me dialogun, nuk është hedhur në votim.

Kjo pasi që shefi i Grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, ka thënë se janë në proces të harmonizimit të rezolutës dhe se në momentin që e harmonizojnë do ta vënë në votim.

14:03 - Shtyhet votimi i rezolutës për arsim
Është shtyrë votimi i rezolutës për arsim. Votimi nuk është zhvilluar pasi që Shefi i deputetit të LDK-së, Arben Gashi, ka propozuar që kjo rezolutë të shtyhet për votim për një herë tjetër, pasi që ka thënë se kanë vërejtje se si janë formuluar dy pikat e fundit.

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka thënë se nuk janë thirr për harmonizim të rezolutës.

“Nuk ka pas interesim, të gjitha që janë të shkruara në të janë obligime ligjore që i ka Ministria e Arsimit, ata kanë thirr debat dhe nuk kanë qenë të interesuar që të nxjerrin një rezolutë”, ka theksuar Haxhiu.

Përmbajtja e rezolutës:

Të ndërmarrën të gjitha masat për sigurimin e shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve, studentëve, mësimdhënësve dhe në përgjithësi shëndetin publik në shkolla.

Të bëhen publike mënyrat e monitorimit dhe vlerësimit të zhvillimit të procesit mësimor përgjatë pandemisë COVID-19. MASHT së bashku me IKSHPK të bëjë publike për çdo ditë të dhënat nga DKA/Komunat për numrin e të infektuarve në secilën shkollë, në mënyrë që monitorimi i situatës të jetë në shërbim të ndërmarrjes së veprimeve për të kontrolluar gjendjen me COVID-19 në shkollat e Republikës së Kosovës.

Të ofrohen shërbime profesionale mbështetëse për nxënësit dhe mësimdhënësit, në veçanti shërbime profesionale psikologjike, të cilat janë të domosdoshme si rezultat i efekteve negative të COVID-19 në shëndetin psikologjik të nxënësve.

Obligohet Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, që të gjejë forma dhe mënyra për të rritur numrin e psikologëve në institucionet e arsimit parauniversitar.

Obligohet ministri i Arsimit, që të raportojë me shkrim, dy herë në javë me shkrim dhe një herë në muaj me prezencë fizike, në Komisionin për Arsim, në lidhje me zbatueshmërinë e masave për sigurimin e shëndetit dhe mirëqenien e studentëve, fëmijëve, mësimdhënësve dhe shëndetin publik në shkolla në komisionin Parlamentar për Arsim.

Obligohet Ministria e Arsimit që të ndalë veprimet e paligjshme të Komunës së Dardanës, si dhe inspektorati i arsimit, të vlerësojë dhe inspektoj procesin e ashtuquajtur “reforma arsimore” në komunën e Kamenicës, duke u bazuar në legjsilacionin në fuqi, kapacitetet e komunës për të ofruar arsim cilësor, si dhe duke pas për bazë rekomandimet e avokatit të popullit për shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

13:41 - Seanca nis me një minutë heshtje për Ahmet Krasniqin

Ka nisur të mbahet vazhdim i seancës së 18 shtatorit në Kuvendin e Kosovës. Seanca ka nisur me një minutë heshtje për komandantin e UÇK-së Ahmet Krasnqin.

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se vazhdimi i seancës është vendosur të mbahet me pajtimin e shefave të grupeve parlamentare.

Seanca është paraparë të fillonte nga ora 13:00 mirëpo ka filluar me mbi gjysmë ore vonesë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco