'Me këtë qasje rehabilituese të kriminelëve të luftës, nuk po vendoset paqja mes Kosovës e Serbisë'

'Me këtë qasje rehabilituese të kriminelëve të luftës, nuk po vendoset paqja mes Kosovës e Serbisë'

12:30, 21/09/2020

Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një komunikate thonë se dje dëgjuan presidentin e ShBA-ve të flasë në një tubim elektoral për “ndalje të vrasjeve masive mes Kosovës dhe Serbisë", që paskan bërë krime të tilla kundër njëra-tjetrës, "për shekuj me radhë”.

Sipas LVV-së besimi se lufta e Kosovës e ka themelin te urrejtjet e lashta etnike, e te mospërputhja esenciale mes popullit serb e shqiptar, është besim i gabueshëm, i cili injoron rolin kryesor të Milosheviqit dhe regjimit të tij në shkaktimin e luftës.

"Po ashtu, ky besim anashkalon faktin se lufta nuk u urdhërua e nuk u organizua “prej qytetarëve”, por prej ushtrive e policive, me hierarki e përgjegjësi të qartë komanduese", thonë LVV-ja.

Nga ky subjekt shtojnë këtë temë e shtjellon historiani Noel Malcolm, “Kosova - Një histori e shkurtër”, i cili tash e dy dekada është bërë lektyrë për ushtarakët e KFOR-it, pra edhe ata amerikanë, të stacionuar në Kosovë, dhe mendojmë se duhet të lexohet edhe prej diplomatëve e këshilltarëve të presidentit që merren me çështjen e Kosovës e atë të Serbisë.

Nëse lufta në Kosovë do të kishte qenë e karakterit etnik, pra dallimi etnik na paska shkaktuar konfliktin, atëherë kurrë nuk do të intervenonte NATO dhe Milosheviqi nuk do të mund të konsiderohej përgjegjës prej vetë ShBA-ve, NATO-s, OKB-së, e vendeve kryesore demokratike të botës. E vërteta është që prapa krimeve e masakrave qëndronte një aparat shtetëror gjenocidal (i cili më herët kishte sulmuar në Slloveni, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë), kurse në anën tjetër populli shqiptar i pambrojtur në Kosovë, që u vetëmbrojt.

NATO nuk mund të qëndronte duarkryq teksa Srebrenica po përsëritej në Kosovë.

Sipas LVV-së kjo deklaratë vjen në një kohë kur Serbia ka ushtrinë më të armatosur dhe buxhetin më të madh ushtarak në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe blen armë prej Perëndimit, por ç’është më e keqja, vazhdimisht blen prej Rusisë, e së fundi u bë vendi i parë evropian që blen sisteme armatimi prej Kinës.

Ndërsa Kosova, e cila ka partner të vetëm gjeopolitik perëndimin, ShBA e NATO, ka një ushtri minimale, nuk ka as armatim të rëndë e as buxhet të mjaftueshëm. Si mund ta rrezikojë Kosova e varfër dhe e çarmatosur Serbinë?

"Është Serbia ajo që ka pretendime në Kosovë dhe armatimi i saj ofensiv nuk ka për synim vendet e largëta të botës, por pikërisht vendet fqinje e në radhë të parë Kosovën", thonë nga LVV-ja.

Sipas tyre me këtë qasje rehabilituese të kriminelëve të luftës, nuk po vendoset paqja mes Kosovës e Serbisë, por po zgjatet konflikti i ngrirë.

"Paqja vendoset kur dënohen e çarmatosen fajtorët e kur ShBA mbështet drejtësinë ndërkombëtare dhe pavarësinë e Kosovës, siç ka bërë gjithnjë. Paqja vendoset kur Serbia e njeh Kosovën e pavarur dhe ballafaqohet me të kaluarën e saj. Jo kur rehabilitohen ish bashkëpunëtorët e Milosheviqit që bënë agresion e kryen gjenocid", thuhet në komunikatën e LVV-së.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco