Ambasadorja Schütz thotë se procesi i dialogut Kosovë-Serbi është në koordinim të ngushtë mes BE-së dhe SHBA-së

Ambasadorja Schütz thotë se procesi i dialogut Kosovë-Serbi është në koordinim të ngushtë mes BE-së dhe SHBA-së

09:07, 18/09/2020

Gjermania vazhdon të presë që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të prodhojë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do të rregullojë të gjitha çështjet mes dy vendeve, të hapë perspektivën e tyre evropiane dhe të kontribuojë në stabilitetin e rajonit.

“Një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme do të thotë marrëveshje që krijon detyrime ligjore për të dyja palët dhe nuk është e kufizuar në deklarata politike të qëllimit”, thotë ambasadorja Susanne Schütz, drejtoreshë për Evropën Juglindore, Turqinë, shtetet EFTA, OSBE-në dhe Këshillin e Evropës në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë.

Por teksa flet çka ka nënkupton marrëveshja ligjërisht e obligueshme, sipas Berlinit, ambasadorja Schütz sqaron: “Sa i përket njohjes reciproke, është e paimagjinueshme që dy shtete anëtare të Bashkimit Evropian të mos e njohin njëra-tjetrën”.

 Ambasadorja Schütz ka thënë edhe se në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ka koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë mes BE-së dhe SHBA-së, ndërsa ka përshëndetur disa prej pikave të marrëveshjes së arritur në Washington.

Megjithatë, Schütz ka paralajmëruar se për Gjermaninë dhe BE-në “çdo gjë për të cilën palët merren vesh duhet të jetë plotësisht në përputhje me zotimet që Serbia dhe Kosova i kanë bërë përkitazi me harmonizimin e legjislacionit të tyre me atë të BE-së, me rregullat dhe ligjet tona, si dhe duhet të kontribuojë në stabilitetin rajonal”.

Ajo në këtë kontekst përmendi hapjen e ambasadave të Kosovës dhe Serbisë në Jerusalem.

“Derisa ne e mirëpresim vendosjen e planifikuar të marrëdhënieve diplomatike në mes të Izraelit dhe Kosovës, shprehim keqardhje për planet për hapjen apo zhvendosjen e ambasadave në Jerusalem, gjë që do të shkonte kundër qëndrimit të BE-së në këtë çështje: Marrëveshja paqësore në konfliktin izraelito-palestinez kërkon një ujdi të negociuar për çështjet thelbësore për të cilat pajtohen të dyja palët, përfshirë këtu edhe statusin e Jerusalemit”, tha Schütz.

 Ambasadorja Schuster thot se me gjithë pandeminë në muajt e kaluar, ka pasur disa zhvillime interesante në dialogun Kosovë-Serbi. Si do ta karakterizonit momentin në të cilin gjendet procesi tani? A shihni progres, apo është ende herët për të treguar

 Në të vërtetë ka pasur progres të konsiderueshëm në dialog, me gjithë vështirësitë e shkaktuara nga pandemia. Që nga emërimi si përfaqësues special i BE-së për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ishte në gjendje të rifillonte dialogun për të punuar në bisedime të strukturuara dhe në mënyrë thelbësore për çështje të rëndësishme deri tani të pazgjidhura. Pas 20 muajve të heshtjes, vetë ky hap është sukses.

ë dyja palët tani duhet të vazhdojnë punën me përkushtim të plotë dhe duke marrë në konsideratë kompromiset e nevojshme. Ne kemi nevojë për një marrëveshje përfshirëse, të qëndrueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila të dyja vendeve ua mundëson realizimin e perspektivës evropiane dhe kontribuon në stabilitetin e rajonit.

Njerëzit si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, do të përfitonin në masë të madhe nga një marrëveshje e tillë, sepse raportet bilaterale të pazgjidhura po e pengojnë përparimin e të dyja vendeve.

Para më pak se 10 ditësh pati një raund të diskutimeve Kosovë-Serbi në Washington, që u ndërmjetësuan nga Shtëpia e Bardhë, të cilat u përmbyllën me nënshkrimin e një të ashtuquajture Marrëveshje për normalizim ekonomik. Cili është këndvështrimi juaj rreth dokumenteve të nënshkruara? A i mbështetni marrëveshjet, apo keni rezerva ndaj asaj që është arritur?

Schütz: Në përgjithësi aktivitetet që i përafrojnë palët janë të mirëseardhura. Takimi në Washington ka nënvizuar se të dyja palët kanë shprehur vullnet për angazhim në përpjekjet diplomatike për të përmirësuar raportet e tyre. Siç po e shohim, dokumentet përmbajnë elemente nga marrëveshjet e arritura në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe agjenda e tanishme e dialogut të BE-së, si dhe projektet infrastrukturore të financuara më herët nga BE-ja dhe së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, qëndrimet që i largojnë Serbinë dhe Kosovën nga qëndrimet e BE-së, dhe me këtë edhe nga perspektiva e rrugës së tyre evropiane.

Përveç kësaj, për Gjermaninë dhe BE-në çdo gjë për të cilën palët merren vesh duhet të jetë plotësisht në përputhje me zotimet që Serbia dhe Kosova i kanë bërë përkitazi me harmonizimin e legjislacionit të tyre me atë të BE-së, me rregullat dhe ligjet tona, si dhe duhet të kontribuojë në stabilitetin rajonal. Derisa ne e mirëpresim vendosjen e planifikuar të marrëdhënieve diplomatike në mes të Izraelit dhe Kosovës, shprehim keqardhje për planet për hapjen apo zhvendosjen e ambasadave në Jerusalem, gjë që do të shkonte kundër qëndrimit të BE-së në këtë çështje: Marrëveshja paqësore në konfliktin izraelito-palestinez kërkon një ujdi të negociuar për çështjet thelbësore për të cilat pajtohen të dyja palët, përfshirë këtu edhe statusin e Jerusalemit.

Ne e mirëpresim që gjatë takimit të nivelit të lartë brenda dialogut konstruktiv me përfaqësuesin e lartë, Borrel, dhe përfaqësuesin special të BE-së, Lajçak, në Bruksel më 7 shtator menjëherë pas takimit në Washington, kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq e bënë të qartë se i japin prioritet të lartë dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Është po ashtu tejet pozitive që brenda dialogut të BE-së është caktuar një takim tjetër i nivelit të lartë për në fund të muajit dhe që diskutimet në mes kryenegociatorëve në ndërkohë vazhdojnë.

Ju pyetët për aspektet ekonomike. Natyrisht ne jemi të gatshëm të punojmë me partnerët tanë amerikanë për të nxitur zhvillimin ekonomik në Kosovë, Serbi dhe në tërë Ballkanin Perëndimor.

Në përgjithësi, një marrëveshje substanciale mes Kosovës dhe Serbisë do të kërkojë bashkëpunim të ngushtë në mes të BE-së si lehtësuese e dialogut dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Për sa i përket bashkëpunimit rajonal, për ne sinergjitë e reja do të ishin të mirëpritura. Si hap i ardhshëm do të ishte e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor që të nisë një fazë e dytë në fushën ekonomike rajonale, në samitin brenda procesit të Berlinit, të bashkorganizuar nga Bullgaria dhe Maqedonia Veriore, që është planifikuar të mbahet këtë vjeshtë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco