Hoti e Kusari-Lila përplasen keq në Kuvend për Ujmanin

Hoti e Kusari-Lila përplasen keq në Kuvend për Ujmanin

20:10, 17/09/2020

Një debat i ashpër është zhvilluar ndërmjet deputetes Mimoza Kusari-Lila dhe kryeministrit Avdullah Hoti për çështjen e Ujmanit.

Sipas Kusari-Lilës, është e tmerrshme deklarata e Hotit ku e trajton Ujmanin në të njëjtin nivel si liqenin e Ohrit dhe atë të Shkodrës.

“Fatkeqësisht sa më shumë që po diskutoni aq më shumë po ndillni frikë në secilin prej nesh këtu. Me dalë në foltore të Kuvendit dhe me deklaruar se Liqeni i Ohrit, Shkodrës dhe ai i Ujmanit e kanë statusin e njëjtë është më shumë se turp, në fakt është mëkat se kush përfaqëson dhe mbronë asetet e shtetit”, ka thënë Kusari-Lila.

Sipas saj ato janë liqene natyrore dhe përcaktohen me konventa ndërkombëtare.

“Vijat e ndarjes të këtyre pasurive natyrore me kufij. Kosova në Ujman nuk ka kufi me Serbinë për arsye se është objekt i ndërtuar. Hidrocentrali i Ujmanit është në Kosovë dhe për informatën e juaj në vitin 2013 në Bruksel përfaqësuesi i kompanisë elektroenergjetike të Serbisë ka përmend njëjtë Ujmanin, asokohe kryenegociatorja Edita Tahiri e ka lëshuar takimin. Janë kthyer prapa, kanë marrë kërkimfalje nga përfaqësuesi i Bashkimit Evropian dhe nga Ministrja e Energjisë së Serbisë që më nuk do të diskutohet se Ujmani është aset i Kosovës”, ka thënë ajo.

Sipas saj Hoti me nënshkrimin e tij po e jetëson idenë e Millosheviqit kur donte ta merrte Ujmanin. “Ja në vitin 2020 çfarë po i ndodh Kosovës. Pse duhet studim i fizibilitetit nëse po u dika qartë se një pjesë qenka në Serbi, pse? Hidrocentrali është në Kosovë, pasuria është e Kosovës, rryma dhe uji janë të Kosovës.

Dy komuna në anën tjetër të kufirit Novi Pazari dhe Tutini e marrin ujin tjetër kund, për çka i duhet uji Serbisë, nuk i duhet. Përveçse në vitin 1993 kur Millosheviqi ka dashur ta marrë dhe tash ju që po e jetësoni me nënshkrimin tuaj, fatkeqësisht”, ka thënë Kusari-Lila. “Këto janë fakte kokëforta që ju duhet t’i dini e t’i keni parasysh e të flisni këtu fjalë të pavërteta”.

Hoti i është kundërpërgjigjur asaj duke thënë se është një debat dhe ballafaqim argumentues dhe jo fyes. “Me të dhëna konkrete teknike, politika apo cilado. T’i duhet me e ditë se ku i ka kufijtë Kosova. A jemi të gjithë në dijeni që një pjesë e këtij liqeni është në territorin e Serbisë. Pse duhet të kemi frikë që nesër pas marrëveshjes finale, pas njohjes reciproke të zbatojmë të gjitha konventat ndërkombëtare për shfrytëzimin e ujërave të tilla. Ku është problemi, nëse donë Mimozë me e bë këtë kauzë politike nuk të çon kurrkund. Gjeje një kauzë tjetër”, ka thënë Hoti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco