Izolimi i Thaçit nga bota po e dëmton imazhin e Kosovës

Izolimi i Thaçit nga bota po e dëmton imazhin e Kosovës

16:52, 16/09/2020 Nga Albionë Zhitia

Shkurti ishte muaji dhe hera e fundit që presidentit i vendit, Hashim Thaçi mori rrugën për të bërë një vizitë jashtë vendit.

Në fakt, ai tentoi të shkojë edhe në Washington me 27 qershor, në takimin e famshëm në Shtëpinë e Bardhë që aq shumë e deshi, por udhëtimi ju ndal në gjysmë, pasi u publikua nga Gjykata Speciale propozim aktakuza se është i dyshuar dhe pritet të i ngritet aktakuzë për krime lufte.

Nga ajo kohë e deri sot, Thaçi vetëm deri në Tiranë ka arritur të shkojë dhe atë, jo për çështje diplomatike, por private – shkruan Syri.net Kosova.

Duket se mes Hashim Thaçit dhe diplomacisë botërore është krijuar hendek i madh që quhet Gjykata Speciale.

Ky izolim i Thaçit me botën po ia prish imazhin Kosovës në arenën ndërkombëtare, po vlerësojnë njohësit e çështjeve politike.

Profesori universitar i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti për Syri.net Kosovën thotë se rendi i ri ndërkombëtar promovon paqen, lirinë dhe barazinë mes popujve, andaj edhe çdo lloj dyshimi mbi shkeljen e ligjit zbeh imazhin e atij shteti.

“E drejta dhe rendi ndërkombëtar sot promovojnë dhe kanë në maje të agjendës së tyre paqen, lirinë dhe barazinë mes popujve dhe shteteve. Të gjitha vendet e botës, me theks të posaçëm ato me orientime liberale dhe demokratike, promovojnë sundimin e rendit dhe ligjit si dhe të drejtat e njeriut. Mbi këtë bazë, pretendimet për shkelje ligji, çfarëdo lloji qofshin ato, e aq më keq dyshimet për krime lufte, zbehin imazhin dhe krijojnë rezerva për shtetet dhe autoritete përkatëse në kuptimin e mbajtjes së lidhjeve, sepse presupozohet se personalitetet për të cilat ka dyshime të tilla nuk  mund t’u shërbejnë parimeve universale si e drejta, liria, barazia dhe të drejtat e njeriut në përgjithësi”.

Profesori Hoti vazhdon duke treguar se për shkak të kësaj kemi mbetur nën “hije” të presidentit Thaçi, gjë po dëmtohet vendi në rrafshin diplomatik.

“Siç e ceka më lartë, kjo është arsyeja e mbetjes "nën hije" të presidentit Thaçi aktualisht. Mbi këtë bazë ai tashmë nuk është pjesë e forumeve dhe aktiviteteve diplomatike për Kosovën, rajonin dhe më gjerë. Kjo pa asnjë dyshim është negative për Kosovën dhe kjo për dy arsye: e para, sepse z. Thaçi duke qenë akter kryesor i të gjitha zhvillimeve për Kosovën, gjatë dhe pas luftës ka krijuar autoritetin e padiskutueshëm dhe kapacitetin e marrjes së vendimeve shpesh jo të lehta për vendin, dhe e dyta, vet fakti që ngriten dyshime dhe akuza për presidentin e vendit ngjall dilema dhe shkakton konfuzion nëse vërtetë shteti i krijuar rishtas ka historinë e vet te pastër të ndërtuar mbi të drejtën dhe që në të ardhmen do i shërbejë parimeve që i kërkon bota e civilizuar. Që të dyja këto argumente dëmtojnë Kosovën në rrafshin diplomatik dhe zbehin imazhin dhe pozicionin juridik ndërkombëtar të Kosovës” – përfundon Hoti për Syri.net Kosovën.

Ndërsa opinionisti Dorajet Imeri, duke folur për Syri.net Kosovën, thotë se dëmi është i parikuperueshëm, pasi që nga publikimi i raporti të Dick Martit, vendin tonë shumë pak liderë e kanë vizituar.

Tutje, ai thotë se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm në diplomaci dhe ka dështuar.

“Kosova ka disa vite që është mënjanuar nga bashkësia ndërkombëtare, përjashto ndonjë vizitë të aty-këtushme. Që nga publikimi i Raportit të Dick Martit, i cili etiketonte krerët e UÇK-së për krime të pretenduara të luftës, Kosova shumë pak është vizituar nga liderë të shteteve të ndryshme të botës. Kjo nënkupton një dëmtim të paçmuar të imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Diplomacia në kohën moderne kërkon nja angazhim të shtuar në shumë drejtime, ku prania e shtetit përmes përfaqësuesve të saj është jetik, sidomos në konsolidimin e shtetësisë. Deri tash kjo nuk është bërë, dëmi është i parikuperueshëm. Kosova nuk e ka ushtruar të drejtën e saj për të krijuar marrëdhënie me shtetet tjera dhe kjo i ka kushtuar shumë në procesin e njohjes, por edhe të anëtarësimit të saj në organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë.”

Imeri shton se presidenti Thaçi ka bërë disa gabime gjatë rrugëtimit të tij politik, andaj pasojat po shihen tani.

“Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaci, padyshim se është politikani me më së shumti përvojë në politikë, por me gjasë gjatë këtij rrugëtimi, siç e thotë edhe ai vetë, ka bërë disa gabime, ta zëmë hapja e temës së rishikimit të territorit, të cilin ai e ka paraqitur në variante të ndryshme, sa që në ndërkohë e ka mohuar një gjë të tillë. Kjo është e rrezikshme për ndërtimin e partneritetit të besueshëm, pasi marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të ngriten mbi komunikim normal, të vlefshme e të besueshme” – përfundon Imeri për Syri.net Kosovën.

Karriera politike e Thaçit ndodhet në krizë pas publikimit të propozim aktakuzës nga Prokurori i Speciales. Derisa dikur Thaçi krenohej se ka mbështetjen e botës, duke dalë në foto me udhëheqës botërorë, tani këtë gjë nuk po mund ta bëjë. Por nuk është vetëm tani ky ‘izolim’ i presidentit, pasi që, në vitin 2018, në samitin e Davosit u pa qartazi se pak liderë të botës kanë ndarë kohë për të dalë në fotografi me të. Sinjalet e para të izolimit ndërkombëtar për Thaçin i kishte paralajmëruar ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili ka qenë shumë i ashpër në këtë pikë, duke paralajmëruar pasojat.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco