Skandali i ministres Haradinaj, rasti kthehet në rigjykim

Skandali i ministres Haradinaj, rasti kthehet në rigjykim

10:08, 11/09/2020 Nga B.T

Derisa ishte këshilltare politike e  kryeministrit të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, tani ministre e Punëve të Jashtme, po përballej me gjykatën. Kjo po ndodh pasi që ajo nuk ka raportuar pasurinë e saj  krejtësisht në Agjencinë  Kundër Korrupsion.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 26 mars 2019, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurës M.H-S, në drejtim të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 437 paragrafi 2 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës.

E akuzuara me 20 maj  të vitit të kaluar ishte paraqitur në seancën fillestare në Gjykatën Themelore të Prishtinës, e cila ka mohuar akuzën.

Gjykatës Themelore në Prishtinë, me 4 tetor 2019 e kishte dënuar më 8 muaj burgim më kusht, në afatin e verifikimit prej 1viti, si dhe dënimi me gjobë, në shumën prej 1.000 eurove.

Por Ministrja e Punëve të Jashtme,  është ankuar dhe tani më Gjykata e Apelit ka vendosur që rasti të kthehet në rigjykim.

Gjykata e Apelit e Kosovës,  ka vendosur lidhur më ankesën në rastin e të  akuzuarës Meliza Haradinaj Stublla. 

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 04.10.2019 është anuluar sipas detyrës zyrtare, dhe çështja penale i është kthyer gjykatës së njëjtë, në rigjykim dhe vendosje.

Gjykata Themelore në Prishtinë, e kishte  shpallur fajtor të akuzuarën, rreth një vit më parë, për shkak të veprës penale “Mosraportimi apo raportimi i rrem i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare “nga neni 437 par.2 I Kodit Penal të Republikës së Kosovës.  Për këtë ajo ishte dënuar më 8 muaj burgim më kusht, në aftin e verifikimit prej 1viti, si dhe dënimi me gjobë, në shumën prej 1.000 Eurove.

Gjykata e Apelit, gjeti se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është në kundërshtim me vetveten, si dhe me arsyetimin, pasi që nuk përmban fakte vendimtare të cilat e karakterizojnë veprën penale.

Po ashtu nga shkresat e lëndës rezulton se gjykata e shkallës së parë, me aktgjykimin nxjerrë, nuk i ka vërtetuar në mënyrë të drejtë elementet inkriminuese të veprës penale, e cila i vihet në barrë të akuzuarës, sepse fillimisht është dashur që të vërtetoj elementet të cilat e karakterizojnë veprën penale, që nënkupton në përshkrimin faktik dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i mangët.  Për këto dhe arsye tjera, u vendos që çështja të kthehet në rigjykim.

Edhe pse ishte akuzuar  nga prokuroria e dënuar nga gjykata ajo nuk e kishte parë  të rrugës të japi dorëheqje nga pozita e këshilltare së ish kryeministrit, por ajo edhe u emërua duke u bërë ministre e Punëve të Jashme. 

Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, ka thënë për "Syri.net Kosova", se IKD vlerëson se ushtrimi i pozitave publike duhet të bëhet nga zyrtarë me integritet të lartë personal dhe profesional.

Sipas tij në këtë drejtim, të gjithë zyrtarët që kanë probleme me ligjin dhe që ushtrojnë pozita të larta, duhet të jenë shembull që duhet të shërbejë edhe për qytetarët, duke gjetur mënyrën qoftë përmes dorëheqjes apo largimit nga pozita për t’i hapur rrugë një procesi të drejtë, të paanshëm dhe profesional, në të cilin do të dëshmohet pretendimi i prokurorisë.

"Në të kundërtën, ushtrimi i këtyre pozitave, duke mbajtur mbi supe akuza për vepra të ndryshme penale, dëmton rëndë integritetin e zyrtarit dhe institucionit ku ai e ushtron pozitën. Kjo është një pasqyrë e keqe e qeverisjes, e cila po bëhet nga një numër i madh i zyrtarëve publik, të cilët gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, paralelisht po përballen me procedura gjyqësore për vepra penale", tha Betim Musliu.

Hulumtuesi i lartë në Institutin për Drejtësi, tha për "Syri.net Kosova", se në këtë drejtim, IKD-ja ka rekomanduar rregullimin e fushës së dekriminalizimit, përmes së cilës do të adresohej çështja e ushtrimit të pozitave publike, duke kufizuar ushtrimin e tyre nga zyrtarë të cilët bien në kundërshtim me normat e përcaktuara, por që për këtë rekomandim të IKD-së, deri më tash ka pasur vetëm vullnet deklarativ nga partitë politike, por assesi veprime konkrete.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco