Mijëra kriminelë të luftës shëtisin lirshëm nëpër rrugët e Serbisë

Mijëra kriminelë të luftës shëtisin lirshëm nëpër rrugët e Serbisë

16:10, 09/08/2020

Në fakt, Serbia është vend i sigurt për kriminelët e luftës, pasi Aleksandar Vuçiqi e shpalli kuvendin popullor “shtëpi të sigurt për Ratko Mladiqin”

Pasi që Serbia është zyrtarisht në rrugë të eurointegrimeve, Komisioni Evropian publikoi raportin e rregullt 6-mujor me gjendjen në kapitujt 23 e 24. Kapitulli i parë ka të bëjë me gjyqësinë dhe të drejtat themelore, kurse i dyti me drejtësinë, lirinë dhe sigurinë. Një pjesë e mirë e këtij raporti i është kushtuar përparimit të Serbisë në fushën e procedimit të krimeve të luftës. Madje, termi “përparim” nuk është adekuat kur është në pyetje kjo temë.

Serbia është obliguar të gjykojë kriminelët e luftës dhe që gjykimet të jenë efikase. Për këtë edhe ka sjellë dokumentin “Aksion-plani për Kapitullin 23”, ku është definuar se si do të trajtojë mesazhet e Bashkimit Evropian, pjesë të cilit dëshiron të bëhet.

Gjithçka në këtë “plan” është në vendin e vet, gjithçka është menduar e shkruar bukur. Për shembull aty shkruan se do të hartohet tekst për strategjinë e Prokurorisë për hetime dhe procedime të krimeve të luftës në Serbi. Strategjia bazohet në parime, që s’ka ku të shkojë më mirë: “hetime të përqendruara dhe ndjekje penale”, hetime dhe ndjekje penale të autorëve më përgjegjës të krimeve të luftës, pavarësisht nga niveli i tyre; duke e vënë viktimën në fokus gjatë hetimit dhe kryerjes së procedurave; duke i kushtuar vëmendje të veçantë mbrojtjes së dëshmitarëve... "

Shtëpi e sigurt për kriminelë lufte

Dhe vërtet është hartuar një strategji e tillë. Është në sajtin e Prokurorisë për Krime të Luftës me emrin bombastik: “Strategjia e Prokurorisë për hetim dhe ndjekje penale të krimeve të luftës në Serbi 2018-2023”. Gjithçka është paraparë bukur, si të rritet efikasiteti i Prokurorisë për krime të luftës, si të forcohen kapacitetet institucionale, si të mbrohen viktimat e dëshmitarët dhe si t’u ofrohet mbështetje.

Gjithçka ka aty, asgjë nuk mungon. Ekziston vetëm një problem i vogël: realiteti nuk përkon me atë që thuhet në këto dokumente. Serbia po merret me krimet e luftës, por vetëm në letër. Në realitetin e hidhur, Serbia është shtëpi e sigurt e kriminelëve të luftës, që është edhe logjike, meqë në krye të shtetit është njeriu që kuvendin popullor e kishte shpallur “shtëpi të sigurt për Ratko Mladiqin”. Për këtë, edhe raporti i Komisionit Evropian është negativ, përkatësisht Serbia është larg përparimit në fushën e dënimit të krimeve të luftës, ndonëse Kapitulli që ka të bëjë me këtë, ai 23, është hapur para katër vjetëve.

Komisioni Evropian ia tërheq vërejtjen shtetit të harruar të Serbisë se ka marrë për obligim që të pranojë plotësisht të gjitha vendimet e Tribunalit të Hagës, si dhe të bashkëpunojë me pasardhësin e tij, Mekanizmin ndërkombëtar për gjykata penale.

Kjo do të thotë që zyrtarët serbë në asnjë mënyrë nuk do të guxonin të pengonin e neglizhonin aktgjykimet e Hagës. Serge Bramnertz, qysh para disa vjetësh, ia ka tërhequr vërejtjen pushtetit serb që të ndalojë me rishikimin e historisë dhe me mohimin e fakteve, por ishte e kotë.

Përkushtimi ndaj krimit

Funksionarët e lartë serbë kanë një qëndrim specifik ndaj të kaluarës së luftës dhe krimeve, që konsiston në mohim, falsifikim dhe relativizim, që shkon deri aty sa të lavdërohen vrasësit masivë.

Politikanët shfrytëzojnë çdo mundësi të mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, duke injoruar aktgjykimet e Tribunalit të Hagës dhe faktet. Aleksandar Vuçiq, Ana Bërnabiq, Aleksandar Vulin, Ivica Daçiq dhe të gjithë pushtetarët e tjerë po garojnë se kush do të jetë më krijues në shfaqjen çnjerëzore dhe të lidhen me krimin. Këta, as vuajtja e jashtëzakonshme e viktimave nuk i detyron të bëjnë gjë, ata madje as nuk i vërejnë dhe nuk është çudi që i përfillin detyrimet ndërkombëtare që i kanë pranuar.

Komisioni Evropian ia kujton shtetit të harruar të Serbisë edhe mungesën e bashkëpunimit kur është në pyetje kërkesa shumëvjeçare që të arrestohen dhe të dorëzohen anëtarët e Partisë Radikale Serbe, Verica Radeta dhe Petar Jojiq, të cilët duhet të gjykohen për pengim të punës së Tribunalit, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve në rastin e Vojislav Sheshelit.

Serbia me vite bëhet e shurdhër në këtë kërkesë, duke shpikur arsyetime të ndryshme, derisa Vuçiqit as që i shkon në mendje të arrestojë kolegët e tij të deridjeshëm, me të cilët edhe sot e lidh ideologjia që çoi deri në krime masive. Nuk dëshiron njeriu që të heqë dorë nga rinia e tij djallëzore kur ishte i angazhuar për nxitje të luftës. Për atë periudhë e lidhin kujtimet më të bukura.

Në raport flitet edhe për bashkëpunimin e dobët rajonal në procedimin e krimeve të luftës dhe thuhet se bashkëpunimi me Kroacinë nuk ka sjellë rezultate të prekshme.

Në raport tërhiqet vërejtja se Serbia ende nuk ka pranuar aktgjykimin e Gjykatës në Bosnjë për Novak Gjukiqin, i cili qetësisht jeton në Serbi dhe nuk e ka brengën se do të arrestohet e të dërgohet në burg, ku edhe e ka vendin. Jo vetëm që Serbia po e refuzon bashkëpunimin, por po ia ofron gjithë logjistikën e mundshme Gjukiqit dhe ekipit të tij (jo)ligjor për të sajuar rrëfime se ai nuk është përgjegjës për krimin në portën e Tuzlës, porse viktimat e kanë granatuar vetveten.

2.500 raste të pazgjidhura

Në raport ceken edhe mënyra të shumta se si zyrtarët serbë pengojnë gjykimin e kriminelëve të luftës dhe përballjen me të kaluarën si: strategjia nacionale për procedimin e krimeve të luftës po shkon ngadalë, strategji të reja nuk ka në horizont, Vojislav Sheshelit nuk i është marrë mandati i deputetit, janë përkeqësuar raportet në sajtin e Prokurorisë për krime të luftës dhe se statistika e kësaj prokurorie është humbëse – gjatë 2019-s janë ngritur padi ndaj katër personave, pushteti vazhdon të ofrojë mbështetje, fjalimet nxitëse kalojnë pa u dënuar si diçka më se normale, deputetët mohojnë gjenocidin në Srebrenicë pa pasur pasoja... Me pak fjalë, gjendja është katastrofale, e do të jetë edhe më keq.

Për analizën e shkurtër të Komisionit Evropian, Fondi për të Drejtën Humanitare thotë: “Në raport janë numëruar të gjitha problemet, për të cilat FDH-ja tash e sa kohë tërheq vëmendjen: që strategjia kombëtare është e ngadalshme, që edhe pse ka katër vjet nuk e ka rritur synimin – procedimin efikas të krimeve të luftës”.

Vështirë është të thuhet se cili fakt në këtë raport është më dëshpërues, pasi të gjithë bashkë krijojnë pasqyrën e një shoqërie të humbur, të udhëhequr nga njerëz të operuar nga morali dhe ndërgjegjja. Janë të vendosur që sa më gjatë të mbajnë vendin dhe popullatën në gjendje për t’i mohuar krimet, në tmerr dhe turp. Ndoshta fakti më rrëqethës është se Serbia ka 2.500 raste të krimeve të luftës në fazën fillestare të hetimeve. Jo pesë, as 25, as 250, por 2.500. Kjo i bie që së paku 2.500 kriminelë të luftës lirshëm shëtisin rrugëve të qyteteve dhe fshatrave serbe dhe se askush nuk bën asgjë që t’i dërgojë para drejtësisë.

Vazhdimësia e politikës kriminale

Duket se gjyqësori në Serbi vlerëson se vrasja e grave, fëmijëve, të moshuarve dhe civilëve nuk është asgjë e tmerrshme, se kryesit e këtyre veprave nuk kanë bërë asgjë çnjerëzore dhe se nuk janë të rrezikshëm për rrethin. Kanë punë më të mençura organet e gjyqësorit, që të procedojnë rastet e kriminelëve që kalojnë rrugën në të kuqen, që parkojnë veturat në vende të palejuara, që përlahen mes vete, që vjedhin xhepat e udhëtarëve nëpër tramvaje, që demonstrojnë kundër pushtetit, që shesin alkool për adoleshentët.

Ka aq shumë vepra penale që duhet të trajtohen, disa prioritete duhet të përcaktohen, e në këtë krimet e luftës janë në fund të listës. Madje, nga ajo që thonë e shkruajnë politikanët, intelektualët e mediat, këta kriminelë lufte në fakt nuk janë fare të tillë, por heronj kombëtarë. E, si heronjtë të gjykohen për vepra heroike? Kjo nuk do të kishte fare logjikë.

Raporti i Komisionit Evropian është tejet negativ dhe përfundimet e tij janë të qarta. Rezultatet e deritashme të Serbisë janë varfra, nuk ka drejtësi për viktimat dhe, si pasojë e kësaj, nuk do të ketë as pajtim. E gjithë kjo është pasojë e vazhdimësisë së politikës kriminale, e cila këtu vazhdon me dekada. Integrimet evropiane janë gënjeshtra më laramane, pasi pushteti asnjëherë nuk ka qenë i interesuar për kurrfarë evropianizimi të Serbisë. Që është edhe e kuptueshme: Pse t’i mëshoni vetes në kokë? Pushtetarët i shohin gjykimet e kriminelëve të luftës si diçka që u është imponuar.

Kur Aleksandar Vuçiq vuri tabelën në sheshin Zoran Gjingjiq, “Sheshi Ratko Mladiq”, kjo nuk ishte vetëm një simbolikë. Në kuptimin e vlerave dhe ideologjisë, Vuçiqi dhe të gjithë bashkëluftëtarët e tij janë banorë të këtij sheshi virtual – Ratko Mladiq. Dhe, ata po përpiqen që ta fusin gjithë Serbinë në këtë qorrsokak./Al Jazera/Koha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco