Fati i keq i kryeministrave të Kosovës, asnjëri s’e përfundoi mandatin

Fati i keq i kryeministrave të Kosovës, asnjëri s’e përfundoi mandatin

21:29, 29/05/2020

Që nga përfundimi i luftës, Kosova ka pasur 9 mandate qeverish, në krye me 7 kryeministra. Por, asnjëri nga këta shefa të qeverisë nuk e ka përfunduar mandatin e plotë.

Pas qeverisë së përkohshme të cilën e kishte udhëhequr Hashim Thaçi, kryeministër i parë i Kosovës pas luftës u bë Bajram Rexhepi që qëndroi në këtë pozitë nga marsi i vitit 2002.

Në atë kohë dokumenti më i lart juridik në vend ishte Korniza Kushtetuese, pas i që Kosova administrohej nga Misioni i OKB-së në Kosovë i njohur si UNMIK.

Me të njëjtin dokument në fuqi dy vite më vonë, më saktësisht më 3 dhjetor 2004 në këtë pozitë Parlamenti i Kosovës me shumicë votash zgjodhi Ramush Haradinajn.

Pa i bërë as 100 dite punë Haradinaj dha dorëheqje nga kjo pozitë, pasi Tribunali për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi ngriti aktakuzë ndaj tij, mbi dyshimet për krime lufte.

Kështu, pozita e kryeministrit mbeti e lirë.

Me 71 vota pro dhe 36 kundër Kuvendi i Kosovës më 23 mars të 2005 zgjodhi për kryeministër të Kosovës Bajram Kosumin.

Në këtë pozitë Kosumi qëndroi për 353 ditë.

Pas tij kryeministër i ri i vendit më 2006 u zgjodh Agim Çeku. Me 65 vota për, 33 kundër dhe 5 abstenime, Kuvendi i Kosovës kishte zgjedhur kryeministrin dhe qeverinë e re.

Zgjedhjet e ardhshme, ato të 17 nëntori 2007 sollën fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës. Rrjedhimisht, kreu i qeverisë u zgjodh Hashim Thaçi, votimi për zgjedhjen e tij u bë më 9 janar të vitit 2008.

E Hashim Thaçi, nuk e pati këtë mandatin e vetëm, ai 3 vite më vonë, sërish u zgjodh kryeministër i vendit, pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit të vitit 2011. Vetëm se në këtë kohë, ishte miratuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Në mandatin e dytë, Thaçi qëndroi më së gjati në historinë e kryeministrave, plotë1387 ditë. Edhe pse mbajti karrigen e kryeministrit më së gjati, ai nuk arriti ta përfundojë mandatin e plotë prej katër vitesh.

Më 2014, ishte Isa Mustafa, kreu i LDK-së ai që u zgjodh kryeministër i vendit me 73 vota për të deputetëve. Në këtë post Mustafa qëndroi deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ato të 11 qershorit të vitit 2017.

Pas këtyre zgjedhjeve, 3 muaj kohë mori formimi i qeverisë së re e që kryeministër për herë të dytë u bë Ramush Haradinaj.

Këtë herë, Haradinajt i zgjati mandati më shumë se herën e parë, por prapë nuk e përfundoi atë pasi sërish dha dorëheqje. 

Në korrik të vitit 2019, Haradinaj njoftoi se u ftua për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë nën dyshimin për krime lufte, në këtë mënyrë ai përsëri zgjodhi ta lë karrigen e kryeministrit të lirë.

Tetori i 2019 do të shënonte një histori të re për politikën kosovare, pasi në këto zgjedhje për herë të parë pas  pas 12 viteve në pushtet PDK del në opozitë. 

Zgjedhjet e 6 tetorit nuk u veçuan për renditjen e PDK-së si e treta por edhe fitoren për herë të parë të Lëvizjes Vetëvendosje pas gati 9 viteve formimit të saj si subjekt politikë - shkruan Syri.net Kosova. 

Në këto zgjedhje kryeministër u bë Albin Kurti pas një maratone negociatash me LDK-në e Isa Mustafës për të bashkëqeverisur koalicionin e shpresës siç preferonin ta quanin ata. 

Kurti mori mandatin e tij si kryeministër me 3 shkurt të vitit 2020 dhe u votua me 66 vota pro, e 10 abstenime.

Por as Albin Kurti si më i votuar nga të gjithë kandidatët për kryeministër që kishte Kosova në historin e saj, nuk arrit ta përfundoi mandatin e tij. 

Kurtit qeverisi me vendin me kompetenca të plota vetëm 52 ditë. Një mocioni i mosbesimit të ngritur nga partneri i tij qeverisës LDK, bëri që qeveria e Kurtit të bëhet me jetëshkurtra prej pasluftës.

Më 25 mars të këtij viti, mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së tij rezultoi i suksesshëm pasi  82 deputetë të Kuvendit të Kosovës votuan për mocionit.  

Tani kur Kurti u shkarkua në vend të tij pritet të vije Abdullah Hoti nga LDK, pasi ky i fundit mori mandatin nga një dekret i Presidentit Thaçi e që amini ju bë nga një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco