Profesori në Kolegjin Universum dhe bashkëpunëtori i jashtëm në ISLH “OCTOPUS”, Gurakuç Kuçi, ka reaguar ndaj deklaratës së nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, i cili gjatë një interviste për median serbe Pink tha se “qëllimi është që Serbia me çdo kusht të tërhiqet në ndonjë konflikt”, në kontekstin e rrënimit të 11 objekteve pa leje pranë liqenit të Ujmanit.
Sipas Kuçit, është paradoksale që Serbia, shteti që kreu spastrimet etnike më të rënda në Ballkan gjatë viteve ’90, sot përdor termin “spastrim etnik” për ta paraqitur veten si viktimë dhe për ta interpretuar zbatimin e ligjit nga institucionet e Kosovës si akt të motivuar etnikisht.
Ai vlerëson se deklarata e Simiqit nuk erdhi pas ndonjë përplasjeje ushtarake apo incidenti të rëndë të sigurisë, por pas një vendimi administrativ për rrënimin e ndërtimeve pa leje në një zonë me rëndësi të veçantë.
Kuçi e lidh këtë retorikë edhe me deklaratën e fundit të ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila kishte thënë se, po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Sipas tij, shqetësues është edhe reagimi i kryeministrit serb Gjuro Macut, i cili nuk e dënoi përmbajtjen e deklaratës, por u shpreh vetëm se i kishte thënë ministres se deklarata të tilla “nuk ishin të pranueshme”, duke lënë të kuptohet se problemi ishte mënyra e shprehjes dhe jo vetë ideja.
Kuçi rikujton se institucionet e Kosovës prej vitesh kanë ndërmarrë veprime të ngjashme kundër ndërtimeve pa leje në zona të ndryshme, si Batllava, Prevalla, Sibovci dhe Rugova. Ai thekson se, edhe kur këto vendime kanë shkaktuar pakënaqësi dhe protesta nga banorët, askush nuk i ka cilësuar ato si “spastrim etnik”.
Sipas tij, Beogradi po përpiqet t’i etnizojë veprimet ligjore të institucioneve të Kosovës dhe ta paraqesë zbatimin e ligjit si persekutim ndaj serbëve.
Kuçi vlerëson se reagimet ndaj rrënimit të 11 objekteve pa leje pranë Ujmanit janë pjesë e një strategjie më të gjerë të Serbisë, e cila, sipas tij, synon të krijojë tensione përmes luftës hibride, sulmeve terroriste ose duke pritur ndryshime të rrethanave gjeopolitike që do t’i shërbenin interesave të saj.
Në fund, ai kritikon edhe qasjen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë, duke thënë se stabilokracia ka kontribuar në forcimin e regjimeve autoritare në të kaluarën dhe se e njëjta qasje, sipas tij, po e fuqizon edhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
© SYRI.net