Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas disa muajsh hetime dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, janë ndaluar tre persona për 48 orë.
Sipas Prokurorisë, dy nga të ndaluarit janë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Njëri është zyrtar në Divizionin për të Huaj, ndërsa tjetri në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC).
Të dyshuarit me inicialet F.Sh. dhe G.J., në cilësinë e personave zyrtarë, dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i dyshuari D.K. dyshohet për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Sipas hetimeve paraprake, F.Sh. dhe G.J. dyshohet se, në bashkëkryerje, kanë lëshuar leje qëndrimi për shtetas të huaj, duke u mundësuar atyre pajisjen me dokumentacion përkatës, përmes të cilit dyshohet se kanë përfituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme.
Ndërkohë, D.K. dyshohet se ka falsifikuar dokumente të ndryshme me qëllim që t’u mundësojë personave të tjerë të aplikojnë dhe të pajisen në mënyrë të kundërligjshme me leje qëndrimi në Republikën e Kosovës.
Prokuroria bëri të ditur se, brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të shqyrtojë mundësinë e paraqitjes së kërkesës për caktimin e masave të sigurisë ndaj të dyshuarve, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.
© SYRI.net