Kreu demokrat gjatë fjalës së tij ne mbledhjen e grupit parlamentar të PD deklaroi se, “turizmin e ka shkatërruar narkoeuro dhe qëndrimi i Ramës ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, jo protesta”.
Berisha: Nga mëngjesi gjer në darkë, mediat e qeverisë akuzojnë protestën për turizmin dhe për fat të keq, gjejnë edhe ndonjë operator të mashtruar që mban ison e qeverisë.
E vërteta është sot se si kurrë më parë, plazhet e vendit janë bosh, jo gjysmë bosh, por shumë më tepër se gjysmë bosh, nga Saranda në Shëngjin dhe më lart.
Dhe faktori më shkatërrimtar për turizmin, më toksik, është narkoeuro, e cila ka rënë me 32 përqind.
Imagjinoni ju turisti që e merrte dhomën me 100 euro, duhet ta paguajë dhomën me 130 euro.
Turisti që merr një dhomë me qira diku për të gatuar vetë, e gjen 30 përqind më shtrenjtë dhe i gjen ushqimet më shtrenjtë se në vendin e tij.
Tirana, siç jeni ju vetë dëshmitarë, sipas statistikave më serioze të Eurostat, është qyteti i dytë më i shtrenjtë në në Evropë në raport me të ardhurat.
Dhe duke dëshmuar pafundësisht një injorancë, para disa ditësh mburrej me narkoeuron, mburrej me forcimin e lekut.
Dhe kjo është krenari.
Sigurisht droga është krenaria e tij.
Por më lejoni pak për qytetarët të jap të dhënat e monedhave të tjera të vendeve anëtare të BE, që nuk janë në sistemin e euros.
Zlloti polak, i zhvlerësuar 13 përqind, sepse ka inflacion, normal.
Lei rumun, 11 përqind.
Bullgaria e ka me kurs fiks.
Kurse forinta hungareze, 25-27 përqind zhvlerësimi.
Pra, kjo që ndodh në Shqipëri, ndodh në Meksikë. Edhe atje, gjysma e kësaj, 17 përqind.
Pasi shkatërroi pasivisht eksportet, dhe u kujtohet u lutëm, u kujtohet kur deklaronte me cinizëm ekstrem, me papërgjegjshmëri absolute se le të ikin ato industri se janë të botës së tretë, në një kohë kur Shqipëria arriti në vendin e tetë në botë për prodhimin e këpucëve, dhe shumë prej tyre të cilësisë më të lartë.
Arriti në prodhime shumë të rëndësishme në modën e lartë dhe në prodhime të tjera.
Ato ikën, jo tha, ato nuk janë industri për ne, për ne është droga.
Dhe tani për të gjitha këto, fajëson protestën për turizmin që i ka pothuajse bosh nga Saranda në Shëngjin.
Shto këtu qëndrimin armiqësor të hapur ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Shpall non-grata deputetët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, përfaqësuesit e tyre.
I ndalon në Qafë Thanë.
Shpall qytetaren nga Prizreni non-grata pse vinte në protestë dhe fliste.
Natyrisht të gjitha këto tek shqiptarët krijojnë neveri, krijojnë urrejtje për të.
Dhe e vërteta është me sa po lexoj tani, udhëtimet, prenotimet e tyre drejt plazheve të Shqipërisë kanë një rënie dramatike këtë vit.
Pra është vetë autori i shkatërrimit të turizmit.
Protesta nuk ka asnjë lidhje, përkundrazi ka ngjallur simpati botërore, të themi të vërtetën.
Ka ngjallur një simpati që Shqipëria nuk e ka pasur ndonjëherë kaq të madhe.
© SYRI.net