Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ilir Ferati, tha se kjo parti po merret me punët organizative për thirrjen e kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë.
Ferati tha se nuk do ta quante urgjente thirrjen e kuvendit të jashtëzakonshëm, por se e imponon data e formimit të institucioneve.
“LDK po merret me çështje procedurale që na takojnë edhe sipas statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, edhe me punët organizative në drejtim të organizimit të Kuvendit, në mënyrë sa më të shpejtë edhe sa më efikase, po e quaj kështu, në mënyrë që delegatët me shpreh vullnetin e vet, pas thirrjes së Kuvendit që është bërë prej nënshkruesve që i kanë dorëzuar dje nënshkrimet. Tash, nuk po dua me e cilësuar urgjente si Kuvend, mirëpo sigurisht që na inponon pjesa e datës së konstituimit të institucioneve, edhe pse është përgjegjësi e partisë së parë me filluar punën edhe me i përshpejtuas ato procedura. Por ndryshe, grupi parlamentar është, edhe deputetët janë zgjedhur, dhe po e garantoj që është funksional, po marrë parasysh organizimin e Kuvendit të LDK-së”, tha ai.
Ferati po ashtu e quajti propagandë raportimin e djeshëm se ishte arritur një marrëveshje mes VV-së dhe LDK-së, ku kjo e fundit do t’i kishte tri ministri dhe kryeparlamentarin.
“Krejtësisht propagandë, spekulim në një nivel jo të mirë, sidomos në kohën kur ndodhi. Pa prapë po e citoj, pa burim të informatës, pa citim të ndonjë eksponenti ose të ndonjë informate zyrtare nga LDK-ja, është spekulim, nuk qëndron. Përndryshe, kryetari i ka deklaruar dje qëndrimet e veta përmes video-mesazhit edhe ka cilësuar nevojën që kemi me pezullu negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje, deri sa të zgjidhen çështjet tona të brendshme”, tha ai.
Më tej, ai tha se kuvendi i jashtëzakonshëm nuk është kuvend garues, por kuvend votëbesimi ndaj Abdixhikut.
“Thirrësit e Kuvendit e kanë parashtruar kërkesën për çka ata e kanë thirrur Kuvendin. Nuk është Kuvend garues, është Kuvend i votëbesimit, praktikisht. Nuk është Kuvend ku mund të shpallen kandidatura të tjera, praktikisht po flas sipas thirrjes së nënshkruesve që e kanë thirrur Kuvendin”, tha ai.
Aktualisht në sekretarinë e LDK-së janë dorëzuar 151 nënshkrime për sharkimin e kryetarit Abdixhiku.
© SYRI.net