Kreu demokrat ka dënuar qëndrimin e qeverisë shqiptare pas deklaratës së Ministres Serbe për Kosovën. “Dënoj me forcën më të madhe heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit, nuk guxojnë ta shpallin non-grata”, tha kreu i PD.
Klajdi Bodlli: Së fundit në lidhje me deklaratat e ministres serbe para disa ditësh, që është shprehur që nëse do të ishte ajo si Milosheviçi do ta spastronte etnikisht Kosovën.
Sali Berisha: Deklarata e saj është dënuar me forcën më të madhe nga një deklaratë e Partisë Demokratike ditë më parë, e paraqitur nga zëdhënësja e partisë zonja Floriana Garo.
Ne kërkuam menjëherë shpalljen e saj non-grata dhe inicimin e një padie për mbështetje të gjenocidit dhe të spastrimit etnik nga një ministre e vendit që i ka kryer këto akte. Por unë ju garantoj dy gjëra.
Për sa kohë ajo rri në atë kabinet, ajo ka shprehur mendimin e padronit të saj, Aleksandër Vuçiç.
Se të mbash një monstër si ajo në kabinet, e cila dëshmon me gjakftohtësinë më të madhe, shpreh keqardhjen se nuk u kompletua gjenocidi dhe spastrimi etnik në Kosovë sipas operacionit Patkoi, do të thotë të kesh vetë atë mendësi.
Së dyti, dënoj me forcën më të madhe heshtjen e turpshme, heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së një ministreje të Beogradit.
Ndërkohë që shpall non-grata qytetarë të Prizrenit pse marrin pjesë në protestë, ndërkohë që shpall non-grata deputetë të Maqedonisë së Veriut, përfaqësues të shqiptarëve, në aktin më të turpshëm, më vetëposhtërues nuk guxon të shpallë non-grata dhe ai ministri i jashtëm, turpi i të gjitha kohërave, që nuk guxon të thotë një fjalë ndaj ministres monstër që kërkonte spastrimin etnik të të gjithë shqiptarëve nga Kosova.
Ky qëndrim dëshmon fytyrën e vërtetë të regjimit të Tiranës.
Një regjim vasal ndaj Beogradit.
© SYRI.net