Seanca konstituive, e 42-ta me radhë e planifikuar në ora 11:00 të shtunën, është shtyrë për në ora 20:00 pas kërcënimit me bombë në objektin e Kuvendit.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe punonjësit e tjerë brenda objektit janë udhëzuar sot që të evakuohen nga ndërtesa e Kuvendit pas një kërcënimi me bombë.
Policia e Kosovës konfirmoi për reporteri.net se kërcënimi për mjet shpërthyes në Kuvendin e Kosovës u bë përmes një mesazhi.
“Sot, me datë 05.07.2025 në orët e paradites, është pranuar një informatë (me sms), për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të RKS-së. Me të pranuar informatën, janë angazhuar njësitë kompetente policore, të cilat fillimisht kanë bërë perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar personat nga objektet. Policia e Kosovës ka njoftuar prokurorinë kompetente dhe hetuesit policorë të cilët së bashku me njësitë dhe ekspertët përkatës për deminim, janë duke marrë veprimet e duhura të kontrollit në objekt”, kanë thënë nga Policia.
Por, një version ndryshe nga Policia e Kosovës e ka dhënë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit ish-kryeparlamentari Glauk Konjufca si dhe sekretari i Kuvendit, Arben Loshi, të cilët kanë thënë se kërcënimi është bërë përmes një telefonate.
Konjufca, teksa dolit nga Kuvendi pas kërkesës nga Policia, i pyetur nga gazetarët për formën e kërcënimit, ka thënë se sipas informacioneve që ka është bërë përmes një telefonate.
“Me sa e di unë, vetëm përmes telefonatës, tjerat nuk i kemi të qarta”, deklaroi Konjufca.
Njëjtë deklaroi edhe Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Arben Loshi, i cili para gazetarëve ndërsa njoftoi për vazhdimin e seancës në orën 20:00, tha se bëhet fjalë për një kërcënim që ka ardhur përmes një telefonate.
Loshi ka thënë se personi që ka telefonuar ka folur në gjuhën angleze dhe ka thënë se një bombë në Kuvendin e Kosovës do të shpërthej brenda 10 minutave.
“Sipas njoftimit që është dhënë policia, ku është kërkuar evakuimi i menjëhershëm për shkak se në gjuhën angleze një person ka thirrur dhe ka thënë se një bombë është vendosur në Kuvendin e Kosovës dhe e njëjta do të shpërthejë në interval kohor pas 10 minutash”, ka thënë ai.
Seanca e Kuvendit të Kosovës është shtyrë të mbahet për sonte në orën 20:00.
© SYRI.net