Zyra për Media e Ministrisë së Infrastrukturës po vazhdon të publikojë komunikata dhe njoftime zyrtare me gabime të shumta drejtshkrimore dhe gjuhësore, duke ngritur pikëpyetje serioze për standardin profesional të komunikimit institucional.
Në disa njoftime të dërguara mediave dhe qytetarëve gjatë ditës së sotme, vërehen gabime elementare në përdorimin e gjuhës shqipe. Në një komunikatë për sanimin e dëmtimeve në kyçjen e Mazgitit, fjala “nesër” është shkruar “neser”, ndërsa në titull përdoret forma e pasaktë “bison punimet” në vend të “nisin punimet”.

Po ashtu, në të njëjtin njoftim hasen formulime të dobëta dhe mospërputhje gjuhësore që do të duhej të korrigjoheshin para publikimit.
Gabime të ngjashme shfaqen edhe në komunikatën për fillimin e asfaltimit të rrugës drejt Ujëvarave të Mirushës, ku mungojnë shkronjat shqipe “ë” dhe “ç”, ndërsa disa fjali janë të ndërtuara në mënyrë jo të qartë dhe jo në përputhje me standardin e komunikimit zyrtar.

Ndërkohë, edhe reagimi i ministrit në lidhje me aksidentin në autoudhën “Dr. Ibrahim Rugova” përmban pasaktësi gjuhësore dhe probleme në formulim, ndonëse bëhet fjalë për një komunikatë me interes të lartë publik.

Fakti që këto gabime përsëriten në disa njoftime të njëpasnjëshme tregon se nuk kemi të bëjmë me një lëshim të rastësishëm, por me mungesë të kontrollit gjuhësor dhe redaktimit profesional brenda zyrës përgjegjëse për komunikim me publikun.
Institucionet publike financohen nga taksapaguesit dhe komunikatat e tyre përfaqësojnë shtetin para qytetarëve dhe mediave. Për këtë arsye, respektimi i standardeve të gjuhës shqipe nuk është vetëm çështje estetike, por edhe përgjegjësi institucionale.
Kur njoftimet zyrtare përmbajnë gabime drejtshkrimore në tituj dhe në tekstet kryesore, krijohet përshtypja e mungesës së profesionalizmit dhe kujdesit ndaj informacionit që u shpërndahet qytetarëve. Në raste të tilla, pritja minimale është që komunikatat të kalojnë nëpër një proces korrektimi dhe redaktimi para se të publikohen apo të dërgohen në media.
© SYRI.net