Protesta/ Qytetarja: Nuk na ndal as shiu, as presionet politike dhe as pushimet

20:32, 24/06/2026

Në ditën e saj të 25-të pa ndërprerje, protesta qytetare në Tiranë vijon pa ndalim.

një prej folësve u shpreh se qëndrimi i gjatë në shesh është shndërruar në simbol të rezistencës qytetare ndaj qeverisjes aktuale.

Ajo deklaroi se protesta ka mbledhur një shoqëri që, sipas saj, ‘nuk ndalet as nga shiu, as nga presionet politike, as nga etiketimet personale, as nga presionet për vendin e punës apo ndihmën ekonomike’.

Fjala e mbajtur:

Për më shumë se tre javë pasi kemi nisur këtë protestë të gjithë shoqërisë shqiptare, them se jam shumë krenare të qëndroj sot në shesh. Një shoqëri që nuk e ndal as shiu, nuk e ndalin as presionet politike, as etiketimet personale të kryeministrit Rama, nuk e ndalin as presionet për vendin e punës, as presionet për ndihmën ekonomike.

Jam shumë krenare që një shoqëri e cila përditë në '90-ën e duam Shqipërinë si gjithë Europa, u bë Europë dhe po i thotë Europës: 'Jemi këtu, bëhuni me ne dhe jo me autokratin!'.

Dhe një nga këto ditë, një nga bashkëqytetarët që ishte kthyer nga diaspora për protestën më bëri një pyetje që më preku. Tha: 'Mirë ne e diaspora që s'kemi frikë, po ju që jetoni këtu në Shqipëri, a keni frikë që dilni në protestë?'. Unë po i them përgjigjen që i thashë atij. 'Po mirë,' i thashë, 'a jetohet në Shqipëri siç jetojnë shqiptarët? A jetohet me një kryeministër autokrat që vendos për të gjithë ne?

A jetohet siç jetojnë shqiptarët me oligarkë që u marrin edhe malin, edhe detin? A jetohet siç jetojnë shqiptarët me median që e gënjen çdo ditë? A jetohet siç jetojnë shqiptarët me një sistem drejtësie të cilës ne i kërkojmë të shkojë deri në fund, por deri tani kemi parë disa arrestime? A jetohet siç jetojnë shqiptarët që edhe trotuari u merret për të bërë pallate dhe kulla? A jetohet siç jetojnë shqiptarët, ku sapo sëmuresh duhet të hapësh GoFundMe ose të marrësh borxh, se spitali nuk ka ilaçe?

A jetohet siç jetojnë shqiptarët me një sistem arsimor ku në krye janë pedagogët e lidhur me qeverinë, ku studentët shqiptarë akoma janë analfabetë dhe s'dinë të shkruajnë gjuhën shqipe?'. Si mund të lejojmë ne që kjo shoqëri të qeveriset dhe të mësohet nga analfabetë funksionalë? Prandaj, siç i thashë atij shokut tim në diasporë, po ju them sot edhe juve: Unë jam këtu, prej më shumë se tre javësh, për të thënë që nuk jetohet më kështu! Duam të jetojmë me dinjitet! Duam një Shqipëri të re, me një kontratë të re!

Turma: Shqipëri e re! Shqipëri e re! Shqipëri e re!

Për të gjithë ata që thonë se fjalimet në këtë podium qenkan fjalime pa ndonjë nivel. A i keni dëgjuar ndonjëherë këto fjalime për korrupsionin, për shëndetësinë, për autokracinë, për oligarkinë, për median tek partitë e vjetra politike? A i keni dëgjuar këto artikulime në mediat e kapura dhe të shitura, pronarët e të cilëve janë edhe investitorë strategjikë?

Prej më shumë se tre javësh, shoqëria shqiptare, ju këtu në shesh, keni ndërtuar tashmë një artikulim të ri politik. Keni ndërtuar tashmë një kontratë të re sociale, së pari me veten, për të thënë që shoqëria shqiptare ka edhe artikulim politik, ka edhe nerv, ka edhe mllef, edhe thotë: Mjaft është mjaft!

: Dhe së fundi, për të gjithë ata që mendojnë se vapa, pushimet, të gjitha ato që bën kryeministri mund ta ndalojnë dhe protesta mund të mos ketë ndonjë sukses... Unë mendoj se ndërkohë që të gjithë presin suksesin e kësaj proteste, suksesi është arritur tashmë.

Shoqëria shqiptare ka dalë në rrugë! Shoqëria shqiptare nuk është më e frikësuar dhe nuk mund të shantazhohet më me bukën e gojës! Njerëzit, vetë shoqëria shqiptare, po kërkojnë një Shqipëri të re!

Dhe së fundi, ne e dimë se një sistem i ndërtuar në 36 vjet, nga oligarkia, nga media e kapur, nga autokracia e dy liderëve në pushtet, ndoshta nuk mbaron për 24 ditë. Por ne do të jemi këtu edhe 240 ditë, edhe 2400 ditë, për të thënë se vendosim ne! Dhe ne themi: Duam një Shqipëri të re!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco