Një çift që përpiqej të kishte një fëmijë për 18 vjet ka arritur t’ia dalë falë një teknologjie inovative të inteligjencës artificiale.
Çifti, i cili dëshiron të mbetet anonim, kishte provuar shumë herë fertilizimin in vitro në qendra të ndryshme të specializuara në botë, por të gjitha përpjekjet dështuan për shkak të azospermisë, një formë e rëndë e infertilitetit ku në spermën e burrit nuk gjenden spermatozoidë, edhe pas ekzaminimeve të imta mikroskopike.
Më në fund, ata iu drejtuan Qendrës së Fertilitetit të Universitetit të Kolumbias në SHBA, ku u aplikua një metodë e re bazuar në inteligjencën artificiale, e quajtur STAR (Sperm Tracking and Recovery).
Kjo teknologji përdor imazherinë e avancuar, duke skanuar mbi 8 milionë imazhe në më pak se një orë, për të identifikuar spermatozoidet e fshehura në mostrën e spermës.
Falë kësaj metode, studiuesit gjetën tre spermatozoide të fshehura, të cilat u përdorën për të fekonduar vezët e gruas përmes fertilizimit in vitro. Kjo solli shtatzëninë e parë të suksesshme që u realizua me metodën STAR.
“Më duheshin dy ditë për të besuar se isha vërtet shtatzënë,” tha gruaja për CNN. “Çdo mëngjes zgjohem dhe nuk mund ta besoj nëse është e vërtetë apo jo. Ende nuk e besoj derisa të shoh ultratingullin.” Fëmija pritet të lindë në dhjetor.
Dr. Zev Williams, drejtor i Qendrës dhe kreu i ekipit që zhvilloi metodën, tha se puna për krijimin e STAR zgjati më shumë se pesë vjet. Ai e përshkroi procesin si ‘kërkimin e një gjilpëre në një kashtë’, por theksoi se me këtë teknologji kërkimi zgjat vetëm rreth një orë dhe nuk dëmton spermën.
Azoospermia prek rreth 10% të burrave me infertilitet dhe shpesh diagnostikohet papritur, pasi nuk shfaq simptoma.
“Shumica e burrave me azoospermi duken të shëndetshëm dhe nuk kanë probleme në funksionin seksual. Por kur shikohet spermë në mikroskop, në vend të qindra miliona spermatozoideve, shihen vetëm fragmente dhe mbeturina qelizore,” shpjegoi Williams.
Trajtimet tradicionale përfshijnë ndërhyrje kirurgjikale për nxjerrjen e spermatozoideve nga testikujt ose trajtime hormonale.
Metoda STAR ofron një alternativë jo-invazive dhe, megjithëse aktualisht është në dispozicion vetëm në Qendrën e Universitetit të Kolumbias, studiuesit synojnë ta publikojnë dhe ta shpërndajnë gjerësisht këtë teknologji.
Sipas Dr. Williams, kostoja e përgjithshme për një pacient është pak më pak se 3,000 dollarë.
Shkencëtarë të tjerë, që nuk morën pjesë në hulumtim, e përshkruan përdorimin e inteligjencës artificiale në zbulimin e spermës si një hap të rëndësishëm përpara, pasi ndihmon ekspertët të identifikojnë më mirë rastet e vështira.
Megjithatë, ata paralajmërojnë se aplikimi i nxituar i inteligjencës artificiale në mjekësinë riprodhuese mund të krijojë shpresa të paqena tek pacientët.
Ata gjithashtu theksojnë nevojën për vlerësim shkencor dhe studime klinike të plota për çdo metodë të re të bazuar në inteligjencën artificiale në fushën e mjekësisë.
© SYRI.net