Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar bizneset dhe banorët të heqin trarët dhe tendat nga hapësirat publike, në të kundërt do të përballen me gjoba dhe ndjekje penale.
Kryeministri u la dy javë kohë bizneseve, ndërkohë që në Vlorë, një ditë pas vizitës së tij, policia zbarkoi në lagjen e vjetër, duke u kërkuar pronarëve të lokaleve të zbatojnë urdhrin e kryeministrit dhe të lirojnë sa më parë hapësirat publike.
Pasi mori mandatin e katërt, Kryeministri Edi Rama ka kërcënuar hapur bizneset, duke i paralajmëruar lokalet që kanë vendosur tenda në ambientet publike, t’i heqin sa më parë, në të kundërt do të përballen jo vetëm me gjoba, por edhe me ndjekje penale. Përmes një videoje në rrjetet sociale, Rama njoftoi aksionin e ri të qeverisë, që sipas tij synon të lirojë hapësirat publike, nga zaptimi që i kanë bërë bizneset apo banorët, duke u lënë dy javë kohë.
Duket se aksioni i ri i qeverisë, që u kujtua pas 12 vitesh për hapësirat publike, të cilat në masë janë zhdukur nga lejet e ndërtimit që ka dhënë qeveria dhe bashkia, e mori ngacmimin nga vizita që Edi Rama zhvilloi një ditë më parë në Vlorë. Kryeministri Rama, një ditë më parë konsumoi një kafe në lagjen turistike të Vlorës, ku me sa duket nuk i kanë pëlqyer vendosja e karrigeve, stolave dhe çadrave, në lokalet e lagjes së vjetër Muradie.
Për këtë arsye, Edi Rama ka dhënë ultimatum të gjitha bizneseve të kësaj zone, të lirojnë hapësirat publike dhe një ditë pas vizitës së tij, policia bashkiake ka zbarkuar në lagjen e vjetër në Vlorë duke përcjellë urdhrin te drejtuesit e bizneseve. Rama ka përcaktuar edhe urdhrin për kufizimet, matjet dhe distancën mes hapësirës publike dhe hapësirës së biznesit.
© SYRI.net