Avokati i familjes së Liridonës: Për ekzaminimin psikiatrik të Naim Murselit nuk e dinim, u njoftuam nga mediat

Avokati i familjes së Liridonës: Për ekzaminimin psikiatrik të Naim Murselit nuk e dinim, u njoftuam nga mediat

16:03, 04/07/2025

Dy seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, janë anuluar për shkak të fillimit të ekzaminimit të tij psikiatrik.

Megjithatë, avokati i familjes Ademaj, Leotrim Syla, ka deklaruar se palët nuk janë njoftuar zyrtarisht për këtë zhvillim.

Syla tha se ky informacion u bë i ditur vetëm pas raportimeve në media.

“Nuk kemi qenë të njoftuar se kur është shtypur ai vendim dhe i është dërguar palëve, gjegjësisht edhe Institutit të Mjekësisë Ligjore. Nuk kemi ditur as kur ka filluar ekzaminimi i Naim Murselit. Këtë informacion e kemi marrë nga ju, mediat. Pasi u bë publik nga mediat, kemi mësuar edhe nga drejtori i Klinikës së Psikiatrisë se Naimi ka qenë i shtruar në forenzikë që një javë”, ka deklaruar Syla për Klan Kosova.

Për të kryer ekzaminimin piskiatrik të tij është urdhëruar Instituti i Psikiatrisë Forenzike, ka konfirmuar për Reporteri.net zëdhënësja e Gjykatës Themelore e Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 04 Qershor 2025 ka aprovuar kërkesën e mbrojtëses të të akuzuarit N.M. për lëshimin e Urdhrit për Ekzaminimin Psikiatrik për të njëjtin. Me datë 09.06.2025 trupi gjykues në këtë çështje penale ka lëshuar Urdhëresë përmes së cilës është urdhëruar Instituti i Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë të bëjë Ekzaminimin Psikiatrik për të akuzuarin N.M”, ka deklaruar Gashi.

Kërkesa për këtë është bërë nga avokatja e Murselit, Teuta Zhinipotoku.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco