‘Këshilltar politik’ vendi i punës për rehatimin e ish-drejtorëve të AKI-së

‘Këshilltar politik’ vendi i punës për rehatimin e ish-drejtorëve të AKI-së

12:57, 31/10/2021 Nga A.ZH

“Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) është i vetmi shërbim sekret pa asnjë sekret”, të paktën kështu po cilësohet ky insitucion nga shoqëria civile pas skandaleve dhe emërimeve të ish-drejtorëve të AKI-së si këshilltarë politikë. Vlora Hyseni, e cil u shkarkua para disa muajve nga liderët insitucionalë kosovarë, mori besimin e kryemistrit shqiptar Edi Rama që ta këshillojë për çështje të ndjeshme. Si Hyseni, ashtu edhe ish-shefat tjerë të AKI-së, ia mësyen posteve politike – shkruan Syri.net Kosova


Vlora Hyseni është emri i fundit nga AKI që i bashkohet punës si këshilltare politike pranë një kryeminitri, por kësaj radhe ajo ka kapërcyer edhe kufijt, duke marrë besimin e Edi Ramës për ta këshilluar atë.

Hyseni para disa muajve u shkarkua nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani prej funksioneve të AKI-së.

  • Kush është Vlora Hyseni?

Vlora Hyseni e ka udhëhequr AKI-në për katër muaj, gjatë periudhës sa institucioni që mbledh dhe shpërndan informacione të rëndësishme për shtetin te kryeministri dhe presidenti kishte mbetur pa drejtor.

Ajo ishte në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri në prill të këtij viti, kur në detyrën e drejtorit u emërua Petrit Ajeti.

Hyseni, nga informacionet e pakëta që dihen për të, përshkruhet si eksperte dhe njohëse shumë e mirë e çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Ajo flet disa gjuhë të huaja.

Në shkurt të vitit 2019, Vlora Hyseni ishte emëruar zëvendësdrejtoreshë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Paraprakisht, ajo ka qenë drejtoreshë për marrëdhënie me jashtë në AKI.

Emërimi i saj në kabinetin e Edi Ramës u pa me skepticizëm matanë kufirit. Është gazetari shqiptar Kastriot Myftaraj që ka ironizuar me pozitën dhe detyrën e re të Hysenit për punën që ajo do të bëjë në zyrën e Ramës.

Myftaraj ka thënë se këshilltarja e re nga Kosova e Edi Ramës, Vlora Hyseni është eksperte e korrupsionit seksual

“Vlora Hyseni, ish drejtuese e shërbimit të fshehtë të Kosovës, na qenka ndër të tjera e specializuar edhe si eksperte e korrupsionit seksual. Domethënë e luftës kundër korrupsionit seksual. Studimi i korrupsionit vazhdon të thellohet për ta njohur atë në të gjithë llojet dhe nënllojet e tij. Një ndër ta është edhe korrupsioni seksual, i cili është një lloj i posaçëm i korrupsionit që në vende si Kosova dhe Shqipëria, zhvillohet edhe në marrëdhëniet e vendasve me ndërkombëtarët, përveçse midis vetë vendasve” shkruan Myftaraj – raporton Syri.net Kosova.

Gazetari shqiptar shkon edhe më larg duke argumentuar se çfarë realisht konsiderohet korrupsion seksual dhe se çfarë roli do të ketë Hyseni në këtë çështje.

Femra dhe meshkuj vendas korruptojnë ndërkombëtarët duke iu ofruar vetveten seksualisht dhe në këmbim sigurojnë përfitime të çdollojshme nga ndërkombëtarët. Pushtetarët në vende si Kosova dhe Shqipëria e përdorin këtë lloj korrupsioni ndaj të huajve si një mjet ndikimi ndaj tyre, duke qenë se nuk kanë mjete të tjera ndikimi ndaj të huajve të plotfuqishëm. Që Vlora Hyseni është eksperte e korrupsionit seksual, domethënë e luftës kundër tij, për këtë nuk ka dyshim. Shikojeni vetë dhe e kuptoni si e ka bërë kjo vajzë karrierën e saj të çuditshme që përfundoi ashtu siç nisi, aksidentalisht”.

Shumë vajza të bukura dhe me raste edhe meshkuj të bukur kanë bërë karrierë në sajë të korrupsionit seksual” shkruan ndër të tjera Myftaraj.

Syri.net Kosova ka disa javë që ka pritur një përgjigje nga Vlora Hyseni për të kuptuar detyrën e saj në kabinetin e Ramës dhe nëse ia lejon rregullorja e AKI-së si ish nëpunëse e këtij institucionit të sigurisë, të punojë për qeverinë e një shtetit tjetër.

Mirëpo Hyseni, pas thirrjeve tona, ka refuzuar të flasë; posa ka dëgjuar pyetjen e ka mbyllur telefonin.

Syri ka tentuar të kuptojë më shumë nëse rregullorja e brendshme ua ndalon ish punonjësve, në këtë rast udhëheqësve, të shërbejnë për qeveritë e shteteve të tjera, mirëpo për shkak të procedurave konfidenciale nuk do të zbulojmë dokumentin.

Në të parashihet se, në rast largimi nga AKI, ish pjesëtari i këtij institucioni nuk mund të bëhet pjesë e ndonjë partie politike ose grupi tjetër interesi të paktën pa kaluar një vit që kur është larguar.

Kjo rregullore është e bazuar edhe në ligjin për AKI-në  nr. 03/L-063, i cili më shumë flet për kohën kur zyrtarët e kësaj Agjencie janë pjesëtarë të saj.

Pra është ky ligj 03/L-063, neni 17 i të cilit, përkatësisht pika 17.1 e tij, që flet për sjelljet e ndaluara të punonjësit 

“Punonjësit e AKI-së nuk mund të jenë anëtarë të partive politike apo marrin udhëzime prej partive, organizatave apo lëvizjeve politike, apo individëve jashtë AKI-së, e as nuk mund të kryejnë çfarëdo aktiviteti apo detyra tjera publike apo profesionale me pagesë, të cilat nuk janë në përputhje me punën e AKI-së. Punonjësit e AKI-së kërkojnë miratimin paraprak të drejtorit të AKI-së para së t'i bashkohen cilësdo organizate apo grupi; dështimi për të raportuar këtë mund të ofrojë bazë për suspendim apo përjashtim të Punonjësit të AKI-së”.

Pikërisht në lidhje me shkeljen ose jo të rregullores nga ana e Vlora Hysenit, Syri ka biseduar me profesorin Mazllum Baraliu, i cili ka thënë se janë procedura të brendshme për mënyrën se si duhet të veprojnë punjonësit e AKI-së, por edhe kur ata largohen nga aty.

Sipas tij, ligjërisht nuk ekziston ndonjë ndalesë për ushtrimin e ndonjë detyre pasi të largohet nga aty.

“Kosova ka ligjin për mënyrën se si duhet të funksionojë AKI-ja dhe punonjësit e saj, mirëpo ai flet vetëm për pjesën kur ata janë pjesë e saj dhe jo kur largohen. Janë disa rregullore të brendshme që e sqarojnë këtë pjesë. Mirëpo nëse do flisinim në aspektin moral, nuk besoj që do të duhej që një person, i cili deri dje ishte pjesë e AKI-së, të marrë një post në një qeveri të një shteti tjetër, edhe nëse bëhet fjalë për Shqipërinë”, tha Baraliu.

Por Vlora Hyseni nuk është e vetmja që pas shkarkimit nga AKI bëhet këshilltare politike. Ngjashëm si ajo kanë vepruar edhe Bashkim Smakaj e Driton Gashi.

Bashkim Smakaj ishte detyruar të japë dorëheqje nga kreu i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës më 6 janar të vitit 2016. Këtë vendim e kishte marrë presidentja Atifete Jahjaga për shkak të skandaleve dhe shkeljeve ligjore nga Smakaj.

Arsyeja kryesore për të cilën ishte shkarkuar Smakaj ka qenë rasti i të miturit Erion Zeka, për të cilin AKI kishte thënë se e ka kthyer nga Siria, derisa nuk kishte lidhje fare me këtë operacion. Kthimin e tij e kishte bërë një xhihadist kosovar që kishte vendosur ta braktiste Sirinë.

Pavarësisht të kaluarës së tij të errët dhe të përshkuar me plot skandale në AKI, Thaçi ia pati besuar Smakajt një pozitë të rëndësishme, duke e emëruar atë këshilltar politik në atë kohë.

Image

Por në drejtimin e AKI-së gjithmonë kishte persona që vinin nga një prapavijë politike, siç ishte edhe Driton Gashi, që dikur ishte këshilltar politik i ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Zenun Pajazitit, ndërsa më vonë në mandatin e Bajram Rexhepit ai ishte bërë drejtor i Departamentit për Siguri Publike në këtë ministri.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 5 qershorit të vitit 2013 asokohe e kishte emëruar Gashin si Sekretar të Përgjithshëm në MPB.

E nga kjo pozitë, Gashi u emërua shef i AKI-së, që më pas u shkarkua nga ish kryeministri Haradinaj në mars të 2018.

Pas shkakrimit, edhe Driton Gashit Hashim Thaçi i bëri një vend në Presidencë. Kështu, Gashi u emëruar sekretar i Zyrës së Presidentit.

Edhe aty ai bëri skandal dhe me ardhjen në krye të shtetit, Vjosa Osmani e shkarkoi Gashin nga kjo pozitë, pasi që bëri shkelje të rënda në detyrat e punës.

Image

AKI në vazhdimësi ka qenë njëra nga institucionet me më së shumti skandale të prodhuara në historinë e saj.

Para disa ditësh, në media është hedhur në dritë skandali më i madh i përfshirjes së AKI-së dhe Prokurorisë në veprime që rrezikojnë rëndë sigurinë juridike në Kosovë.

Ish-prokurori special, Sylë Hoxha, në një marrëveshje gojore me ish-drejtorin e AKI-së, Driton Gashi, kanë përfshirë dy agjentë në këtë skandal. Dëshmitë e tyre janë bërë sebep që ish-presidenti, Hashim Thaçi, ta akuzonte Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën për lidhje me organizatën e shpallur terroriste “Syri i Popullit”./Syri.net Kosova

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco