Mediat turke përplasen për rezultatin e Erdoganit/ Çfarë ndodh tani e tutje

Mediat turke përplasen për rezultatin e Erdoganit/ Çfarë ndodh tani e tutje

11:05, 15/05/2023

BILD

Në Turqi janë numëruar 99 përqind e votave. Rezultati deri tani: Nuk ka fitues!

Presidenti aktual, Recep Tayyip Erdogan është përpara me 49.40 përqind. Rivali i tij, Kemal Kilicdaroglu arrin në 44.96 përqind. Ky është rezultati i shifrave të autoritetit zgjedhor.

Duke qenë se asnjëri nga të dy nuk ka arritur shifrën e 50 përqind, gjithçka tregon se Erdogan dhe Kilicdaroglu duhet të shkojnë në balotazhin e 28 majit. Por mediat turke kanë nisur një betejë për fitoren.

Gazetat e afërta me Erdogan pretendojnë fitoren për presidentin aktual. ‘Sabah’ shkruan plot besim: “Turqia ka thënë edhe njëherë Erdogan”. Në mënyrë të ngjashme edhe ‘A Haber’ e shpall fitues Erdoganin: “Populli i ka thënë sërish presidentit Erdogan: Ata që janë për një Turqi të fortë, kanë fituar”.

‘Hurriyet’ është më pak e sigurt për fitoren dhe shkruan: “Gara që të lë pa frymë nuk përfundon as pas një dite”.

Mediat pranë opozitës nuk duan të dinë asgjë për fitoren e Erdoganit. ‘Cumhuriyet’ e bën të qartë: “Nuk ka fitues në raundin e parë të zgjedhjeve historike, Erdogani ka humbur”. Halk TV është më i kujdesshëm: “Data e rëndësishme është 28 maji: gara nuk ka përfunduar ende”.

Megjithatë transmetuesi qartësisht nuk e sheh partinë AKP të Erdoganit si fituese të zgjedhjeve. “AKP nuk ishte në gjendje të përmbushte pritshmëritë e saj në votime”.

Vetë Erdogan tha përpara mbështetësve gjatë natës se e shihte veten shumë përpara në zgjedhjet presidenciale. Kilicdaroglu iu drejtua mbështetësve të tij duke thënë: “Me gjithë shpifjet dhe fyerjet, Erdogan nuk mori atë që donte. Ne do t’i fitojmë këto zgjedhje në raundin e dytë”.

Askush nuk duhet ta shpallë garën e përfunduar. Fakti që Erdogan mori më pak se 50 përqind të votave në tentativën e parë, tregon se shumica e popullit kërkon ndryshim.

Çfarë pritet të ndodhë tani?

Nëse autoriteti zgjedhor YKS del në përfundimin zyrtar se asnjë nga kandidatët nuk ka marrë më shumë se 50 përqind të votave, do të ketë një balotazh mes Erdogan dhe Kilicdaroglu pas dy javësh, më 28 maj.

Kandidati i tretë, Sinan Ogan, mund të vendosë peshoren. Ogan, dikur anëtar i MHP-së nacionaliste, që mbështet Erdoganin, ia doli çuditërisht mirë me 5 përqind. Është e paqartë nëse ai do u bëjë një rekomandim mbështetësve të tij për një balotazh të mundshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco