Kristian Prenga është vetëm pak ditë larg ndeshjes më të rëndësishme të karrierës së tij.
Mbrëmjen e 25 korrikut, boksieri shqiptar do të ngjitet në ring në Riad të Arabisë Saudite për t'u përballur me ish-kampionin e botës në peshat e rënda, Anthony Joshua.
Prenga vjen në këtë duel me një bilanc mbresëlënës prej 20 fitoresh dhe vetëm një humbjeje, ndërsa të gjitha fitoret e tij janë arritur me nokaut ose TKO.
Përballja me Joshua-n konsiderohet prova më e madhe e karrierës për shtatlartin (1.96 metra) nga Mirdita, i cili ka befasuar botën e boksit duke siguruar këtë sfidë prestigjioze.
Nga ana tjetër, Joshua synon të rikthehet fuqishëm në ring pas një periudhe të vështirë personale dhe ta përdorë këtë fitore si trampolinë drejt superduelit të shumëpritur me Tyson Fury. Mediat britanike e konsiderojnë favorit absolut boksierin anglez, por Prenga ka mundësinë të shkruajë histori nëse arrin surprizën.
Një triumf ndaj Joshua-s do ta kthente menjëherë shqiptarin në një nga emrat më të përfolur të boksit botëror dhe do t'i hapte dyert për duele edhe më të mëdha në të ardhmen.
Për këtë arsye, e gjithë vëmendja e sportdashësve shqiptarë do të jetë e përqendruar te sfida e së shtunës, ku Kristian Prenga kërkon të realizojë ëndrrën e karrierës.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: