Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, do të zhvillojë deri në fund të këtij viti një vizitë zyrtare në Somali, duke u bërë drejtuesi i parë në historinë e organizatës që viziton këtë shtet afrikan. Lajmi është konfirmuar nga Federata Somaleze e Futbollit (SFF), e cila e cilësoi këtë si një moment historik për zhvillimin e futbollit në vend.
Sipas federatës, vizita synon të forcojë bashkëpunimin mes FIFA-s dhe Somalisë, duke mbështetur projektet për zhvillimin e infrastrukturës sportive, si edhe programet për edukimin dhe rritjen e futbollistëve të rinj.
Njoftimi erdhi pas takimit mes Infantinos dhe presidentit të Federatës Somaleze të Futbollit, Ali Abdi Mohamed. Për Somalinë, e cila prej më shumë se tri dekadash përballet me paqëndrueshmëri politike dhe kërcënimin e grupit xhihadist Al-Shabaab, futbolli konsiderohet një mjet i rëndësishëm për bashkimin e shoqërisë dhe përmirësimin e imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare.
Vizita e kreut të FIFA-s merr një rëndësi edhe më të madhe pas episodit të fundit në Kupën e Botës, ku arbitri ndërkombëtar somalez Omar Artan nuk mundi të merrte pjesë për shkak të refuzimit të vizës nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara. Prania e Infantinos në Mogadishu shihet si një shenjë besimi ndaj përpjekjeve të Somalisë për të rindërtuar institucionet sportive dhe për të zhvilluar futbollin në vend.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: