E ardhmja e Rafael Leaos vazhdon të mbetet e paqartë dhe çdo lëvizje e tij në rrjetet sociale po interpretohet si një sinjal për largimin nga Milani. Sulmuesi portugez ka hequr çdo referencë për klubin kuqezi nga biografia e profilit të tij në Instagram, ndërsa ka ndryshuar edhe foton e profilit, duke shtuar edhe më shumë spekulimet për të ardhmen.
Leao kishte bërë të ditur edhe para Kupës së Botës se dëshironte të largohej nga Milani, por jo për të vazhduar karrierën në një tjetër klub italian, pasi në Serinë A e sheh veten vetëm me fanellën kuqezi.
Aktualisht, 27-vjeçari ndodhet ende me pushime në Turqi, ku prania e tij në Stamboll ka ndezur entuziazmin e tifozëve të Galatasaray-t dhe Fenerbahçes. Mbështetësit e dy klubeve po interpretojnë postimet dhe "story"-t e tij në rrjetet sociale si një shenjë të mundshme për një transferim në Superligën turke.
Nga ana tjetër, Milani është në kërkim të një zëvendësuesi për portugezin, por merkatoja nuk mund të marrë drejtim pa u sqaruar fillimisht e ardhmja e tij.
Klubi kuqezi e vlerëson Leaon rreth 40 milionë euro. Në Kupën e Botës 2026 ai shënoi një gol ndaj Uzbekistanit dhe dha një asist kundër Kroacisë, por në pjesën tjetër të turneut nuk arriti të lërë gjurmë, ndërsa trajneri Martinez nuk i dha shumë minuta në dispozicion.
Leao do të duhet t'i bashkohet Milanit për turneun veror në Australi më 29 korrik, por deri atëherë gjithçka mund të ndryshojë nëse mbërrin oferta e duhur për transferimin e tij.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: