Novak Djokovic ka ngritur sërish zërin për problemet strukturore të tenisit modern, duke paralajmëruar se sporti po përballet me sfida serioze që nuk po adresohen siç duhet.
Pas debutimit të tij të suksesshëm në Wimbledon, kampioni serb theksoi se tenisi është ende i lidhur fort me traditën dhe nuk po përshtatet me ndryshimet e kohës, sidomos në aspektin e kohëzgjatjes së ndeshjeve dhe angazhimit të publikut të ri.
“Tenisi ka shumë probleme që nuk po i trajtojmë. Duhet një reformë ku të gjitha palët të ulen në të njëjtën tryezë, por kjo nuk po ndodh,” u shpreh Djokovic.
Ai iu referua edhe një studimi të realizuar nga PTPA (Shoqata e Lojtarëve), sipas së cilës mosha mesatare e fansave të tenisit është rreth 61 vjeç, duke theksuar se brezat e rinj nuk arrijnë të ndjekin ndeshje që zgjasin katër apo pesë orë.
“Shikueshmëria e të rinjve është shumë më e shkurtër dhe ne duhet të përshtatemi. Ndoshta ndeshje më të shkurtra dhe më dinamike do të ishin një zgjidhje,” shtoi ai.
Djokovic propozoi gjithashtu që turnetë Grand Slam të mbeten siç janë, por të eksperimentohen formatet në turnetë e tjerë të qarkut ATP. Ai kritikoi edhe ndryshimet e fundit në Masters 1000, të cilat janë zgjeruar në kohë, duke krijuar një kalendar më të ngjeshur dhe më të lodhshëm për lojtarët.
“Shtyhen turnetë për të rritur vlerën ekonomike, por kalendari është bërë tepër i ngarkuar. Unë luaj më pak se më parë, por shumica e lojtarëve nuk kanë këtë privilegj. Ky sistem nuk po funksionon,” tha ai.
Në fund, Djokovic kërkoi një rishikim të thellë të sportit: “Tenisi ka nevojë për një ‘reset’ të vërtetë. Nëse vazhdojmë kështu, nuk do të kemi të ardhme.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: