‘Ylli’ i Brazilit dhe i Realit të Madridit, Vinicius Junior, nuk i përmbajti emocionet gjatë një interviste në emisionin "Domingão com Huck", ku u përlot pasi dëgjoi një mesazh të gjyshes së tij, Nilza, e cila ka luajtur një rol vendimtar në fëmijërinë dhe rritjen e tij.
"Është një person shumë i veçantë për mua, sepse babai im ka jetuar gjithmonë larg. U rrita me nënën, vëllezërit dhe gjyshen time. Shtëpia jonë ishte e vogël dhe kam fjetur me të për shumë net. Nuk kam fjalë për ta përshkruar sa shumë ka ndikuar në jetën time. E di se një ditë njerëzit largohen, prandaj përpiqem ta shijoj çdo moment me të. Ata bënë gjithçka që unë të realizoja ëndrrën time dhe ta shoh të lumtur nuk ka çmim", tha mes lotësh sulmuesi brazilian.
25-vjeçari foli edhe për luftën kundër racizmit, duke vlerësuar hyrjen në fuqi të ligjit ‘Prestianni’ gjatë Kampionatit Botëror 2026, një masë që synon të luftojë diskriminimin në futboll.
"Këto arritje jashtë fushës janë shumë më të rëndësishme se ato që arrij brenda saj, sepse kështu ndihmoj shumë më tepër njerëz. Është e vërtetë që ndryshimet po vijnë ngadalë, por shpresoj që të vazhdojnë, në mënyrë që brezi i ardhshëm të mos vuajë atë që kam kaluar unë. Kam një vëlla 7-vjeçar dhe dëshiroj që ai të mos përjetojë kurrë racizmin. Dua të bëj gjëra të mëdha në fushë, por edhe të vazhdoj të frymëzoj të rinjtë me ngjyrë, të cilët nuk kanë zërin që kam unë", u shpreh Vinicius.
Në fund, ai foli edhe për objektivin e Brazilit në Botëror, duke theksuar se kjo është një gjeneratë e vendosur për ta rikthyer "Seleçaon" në majën e futbollit botëror.
"Ylli i gjashtë po vonon shumë. Kemi mësuar shumë gjatë viteve të fundit. Prania e Neymarit, Casemiros, Alex Sandros, Danilos dhe Marquinhosit na jep qetësi, ndërsa pas nesh po vjen një brez shumë i talentuar me Endrickun, Rayanin dhe lojtarë të tjerë. Besoj se e ardhmja e Brazilit është shumë premtuese", përfundoi sulmuesi brazilian.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: