Një çështje e pazakontë ka trazuar atmosferën e Botërorit 2026, pasi qeveria e Ghanës ka reaguar ashpër ndaj vendimit të autoriteteve kanadeze për t’i ndaluar hyrjen në vend mesfushorit Thomas Partey.
Lojtarit 32-vjeçar i është refuzuar viza për në Kanada, çka e pengon të marrë pjesë në ndeshjen e parë të Ganës kundër Panamasë, në Toronto. Vendimi lidhet me një proces penal që vazhdon ende në Mbetërinë e Bashkuar, megjithëse ndaj lojtarit nuk ka asnjë dënim të formës së prerë.
Partey është deklaruar i pafajshëm për shtatë akuza për përdhunim dhe një akuzë për sulm seksual, të ngritura nga katër gra të ndryshme për ngjarje që dyshohet se kanë ndodhur mes viteve 2020 dhe 2022. Gjyqi pritet të zhvillohet vitin e ardhshëm.
Në një deklaratë zyrtare, qeveria ganeze e cilësoi vendimin e Kanadasë si “arrogant dhe jashtëzakonisht të padrejtë”, duke theksuar se po ndërmerr hapa diplomatikë për të kërkuar rishikimin e tij. Autoritetet e Ganës deklaruan se do të përdorin të gjitha rrugët e mundshme për të siguruar një shqyrtim të plotë dhe të drejtë të rastit.
“Qeveria e Ganës riafirmon parimin themelor juridik të prezumimit të pafajësisë, një shtyllë bazë e drejtësisë”, thuhet në deklaratë.
Sipas rregullave të emigracionit të publikuara nga qeveria kanadeze, hyrja në vend mund të refuzohet për personat që kanë kryer ose janë dënuar për vepra penale. Pikërisht kjo politikë është përdorur nga autoritetet kanadeze për të justifikuar vendimin ndaj Partey-t.
Ndërkohë, trajneri i Ganës, Carlos Queiroz, kishte mbrojtur më herët përfshirjen e mesfushorit në listën për Botëror, duke deklaruar se nuk kishte pasur asnjë dyshim për ta grumbulluar atë.
Edhe pse do të mungojë në sfidën e parë kundër Panamasë, Partey mund të jetë i disponueshëm për ndeshjet e tjera të grupit ndaj Anglisë, më 23 qershor, dhe kundër Kroacisë, më 27 qershor, të cilat do të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara, ku ai ka marrë vizën e hyrjes.
Situata mbetet e hapur, ndërsa Gana shpreson që përmes kanaleve diplomatike të arrijë të ndryshojë vendimin e autoriteteve kanadeze përpara fazave të ardhshme të turneut.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: