Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur komunitetin sportiv në Portugali, pasi një i ri 17-vjeçar humbi jetën dhe disa të tjerë u plagosën gjatë një udhëtimi të ekipit të futsalit të Póvoa de Santo Adrião Atlético Clube.
Ngjarja ndodhi të shtunën pasdite, në zonën e Milharados, në komunën e Mafra, në Portugali, kur një furgon që transportonte një grup sportistësh të rinj doli nga rruga.
Sipas mediave lokale, në automjet ndodheshin lojtarë futsali të moshave 17 deri në 18 vjeç, të cilët po udhëtonin për një ndeshje zyrtare. Si pasojë e aksidentit, një 17-vjeçar humbi jetën në vendngjarje, ndërsa dy të tjerë u plagosën rëndë dhe katër të tjerë pësuan lëndime më të lehta.
Të lënduarit u transportuan me urgjencë në spitalet Hospital de Santa Maria dhe Hospital Beatriz Ângelo për trajtim mjekësor.
Shoferi i mjetit nuk ka pësuar lëndime në aksident, ndërsa autoritetet portugeze kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e daljes nga rruga.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitetin sportiv lokal, ndërsa klubi dhe familjet e viktimave po përballen me një humbje të rëndë në prag të një ndeshjeje sportive që u kthye në tragjedi.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: