Një iniciativë e pazakontë dhe me ndikim social të madh ka ardhur nga Argentina me nisjen e Botërorit 2026. Sipas vendimit të autoriteteve lokale, prindërit që nuk paguajnë detyrimet ushqimore për fëmijët e tyre do të ndalohen të hyjnë në stadiume amerikane gjatë turneut.
Sipas raportimeve nga mediat argjentinase, rreth 13 mijë persona, të identifikuar si debitorë të detyrimeve familjare, do të përfshihen në listën e ndalimit për ndeshjet e Kupës së Botës, përfshirë edhe ato të kombëtares argjentinase.
Vendimi është ndërmarrë nga bashkia e Buenos Aires, e cila ka dërguar listën e personave tek autoritetet organizatore të Botërorit në SHBA, për të garantuar që masa të zbatohet edhe gjatë turneut.
Kryetari i bashkisë, Jorge Macri, ka deklaruar se masa është pjesë e një programi më të gjerë kontrolli dhe përgjegjshmërie sociale.
“Nëse nuk përmbushin një detyrim kaq themelor si ushqimi i fëmijëve të tyre, atëherë nuk do të kenë akses në stadium,” është shprehur Macri, duke theksuar se vendimi synon të rrisë përgjegjësinë qytetare.
Kjo lloj mase, e ngjashëm me një “DASPO” sociale, është aplikuar tashmë në futbollin argjentinas që nga marsi i vitit 2025, ku tifozët me detyrime të papaguara nuk lejohen të hyjnë në stadiume. Deri tani, kontrollet e identitetit kanë identifikuar dhjetëra raste shkeljesh në ndeshjet vendase.
Sistemi i quajtur “Tribuna Segura” ka qenë baza e këtij mekanizmi kontrolli dhe do të përdoret edhe gjatë Botërorit për të verifikuar listën e personave të ndaluar.
Megjithatë, autoritetet bëjnë të ditur se personat e përfshirë në listë kanë ende mundësi të rregullojnë situatën e tyre financiare përpara ndeshjes së parë të Argentinës në Grupin J, e planifikuar kundër Algjerisë.
Iniciativa ka ngjallur debat të gjerë ndërkombëtar, duke u konsideruar një ndër masat më të forta të lidhura ndonjëherë me aksesin në evente sportive madhore si Kupa e Botës.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: