Arbitri somalez, Omar Artan, do të jetë gjyqtari kryesor i Superkupës së UEFA-s 2026, ku do të përballen Paris Saint-Germain dhe Aston Villa-n. Ndeshja do të zhvillohet më 12 gusht, në Salzburg të Austrisë.
Vendimi i UEFA-s vjen pas konsultimeve me Konfederatën Afrikane të Futbollit (CAF), ndërsa institucioni europian ka zgjedhur të nderojë një nga arbitrat më të vlerësuar të kohëve të fundit. Pavarësisht moshës së re, Artan është afirmuar si një nga gjyqtarët më të mirë në botë dhe është pjesë e listës ndërkombëtare të FIFA-s që prej vitit 2018.
Ndër ndeshjet më të rëndësishme të drejtuara prej tij spikat sfida e kthimit e finales së Ligës së Kampionëve të CAF për sezonin 2025/26. Për paraqitjet e tij, ai u shpall Arbitri i Vitit nga CAF në vitin 2025.
Artan ishte përfshirë nga FIFA në listën e arbitrave për Kupën e Botës 2026, por nuk mundi të merrte pjesë në turne, pasi nuk iu lejua hyrja në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, theksoi se futbolli duhet të bashkojë njerëzit dhe se zgjedhja e Artan-it është një mënyrë për të treguar respekt ndaj aftësive të tij të jashtëzakonshme. Ai falënderoi gjithashtu presidentin e CAF, Patrice Motsepe, për mbështetjen e kësaj nisme.
Nga ana tjetër, Motsepe deklaroi se Omar Artan ka bërë krenarë Somalinë dhe gjithë kontinentin afrikan, duke e cilësuar suksesin e tij si një dëshmi të nivelit botëror dhe respektit ndërkombëtar që gëzon.
Përballja mes PSG-së, fitues i Champions League-s, dhe Aston Villas, fitues i Europa League-s, do të jetë një tjetër moment i rëndësishëm në karrierën e arbitrit somalez.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: