Fabio Grosso është zyrtarisht trajner i Fiorentinës. Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi vjollcë përmes një komunikate zyrtare, ku është konfirmuar edhe kontrata e ish-trajnerit të Sassuolos, e vlefshme deri më 30 qershor 2028.
Tekniku italian, i lindur në Romë më 28 nëntor 1977, e nisi karrierën si trajner në vitin 2013 te sektori i të rinjve të Juventusit. Debutimi i tij në krye të një skuadre profesioniste erdhi në vitin 2017, kur mori drejtimin e Barit në Serie B.
Gjatë karrierës së tij, Grosso ka drejtuar edhe skuadra si Olympique Lyoni, Frosinone dhe Sassuolo. Ai ka arritur dy ngjitje nga Serie B në Serie A, ndërsa sezonin e fundit me Sassuolon e mbylli në vendin e 11-të të kampionatit, një rezultat pozitiv për një skuadër të sapongjitur në elitë.
Në deklaratën zyrtare, Fiorentina shprehu entuziazmin për afrimin e kampionit të botës me Italinë në vitin 2006:
“E gjithë Fiorentina është e lumtur të mirëpresë me entuziazëm të madh një kampion bote dhe një trajner që sjell kompetencë, freski dhe entuziazëm. Mirë se erdhe, mister Fabio Grosso”.
Tashmë Grosso nis një aventurë të re në pankinën e Fiorentinës, me objektivin për ta rikthyer skuadrën mes pretendenteve kryesore në futbollin italian dhe në arenën europiane.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: