Vetëm pak ditë para nisjes së Kupës së Botës 2026, sulmuesi i kombëtares së Irakut, Aymen Hussein, u përball me një situatë të pakëndshme në momentin e mbërritjes në Shtetet e Bashkuara. Futbollisti 30-vjeçar u ndalua dhe u mor në pyetje për afro shtatë orë në aeroportin O’Hare të Çikagos nga autoritetet amerikane.
Sipas raportimeve, shkaku i ndalimit ishte një problem administrativ dhe një ngatërrim identiteti me një person tjetër që kishte të njëjtin emër. Edhe pse delegacioni irakian ndërhyri për të sqaruar situatën, procedurat e verifikimit zgjatën për disa orë. Disa media irakiane raportuan se lojtari u trajtua “sikur të ishte një i dyshuar për terrorizëm”, duke shkaktuar reagime të forta në vendin e tij.
Pas hetimeve dhe kontrolleve të nevojshme, autoritetet konfirmuan se Hussein nuk përbënte asnjë problem për sigurinë dhe i dhanë lejen për të hyrë në territorin amerikan. Sulmuesi më pas iu bashkua pjesës tjetër të skuadrës dhe falënderoi Zotin përmes një postimi në rrjetet sociale.
Aymen Hussein konsiderohet një hero kombëtar në Irak, pasi ishte autori i golit që siguroi kualifikimin historik të përfaqësueses në Kupën e Botës, rikthimin në turne pas 40 vitesh mungesë. Në Botërorin 2026, Iraku bën pjesë në Grupin I, së bashku me Francën, Norvegjinë dhe Senegalin, ndërsa më 9 qershor do të zhvillojë miqësoren e fundit përgatitore ndaj Venezuelës.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: