Mediat britanike kanë zbuluar detaje interesante rreth marrëdhënies së ngushtë mes trajnerit legjendar të Manchester City-t, Pep Guardiola, dhe prezantueses së njohur sportive, Natalie Pike, e cila prej vitesh është një nga figurat kryesore të kanalit zyrtar të klubit.
Sipas raportimeve, miqësia mes tyre u krijua gjatë intervistave të shumta që Natalie realizonte me Guardiolën për televizionin e Manchester City-t. Me kalimin e viteve, raporti profesional u shndërrua në një miqësi të afërt, e cila është vënë re shpesh edhe në rrjetet sociale.
Natalie Pike, 43 vjeçe, e njohur më parë edhe si modele dhe aktualisht pjesë e medieve të njohura sportive si BBC Radio Five Live, talkSPORT dhe DAZN, ishte personi që realizoi intervistën e fundit të Guardiolës në stadiumin “Etihad”, më 24 maj. Një ditë më vonë, ajo mori pjesë edhe në festën e lamtumirës së trajnerit spanjoll.
Pas ceremonisë, Pike publikoi në Instagram një video ku shihej duke përqafuar dhe përshëndetur Guardiolën me një puthje miqësore. Në përshkrimin e videos, ajo shkroi me humor: “Të dua, Pep... por unë dhe fantasy football do të jemi bashkë përgjithmonë.”
Burime pranë klubit kanë konfirmuar se Natalie ishte përgjegjëse për shumë nga intervistat me lojtarët dhe stafin teknik, çka bëri që ajo dhe Guardiola të zhvillonin një raport miqësor gjatë viteve të bashkëpunimit.
Një tifoze e përjetshme e Manchester City-t, Natalie iu bashkua ekipit mediatik të klubit në vitin 2011 dhe është bërë një nga fytyrat më të njohura për tifozët në ditët e ndeshjeve në “Etihad Stadium”.
Në ndeshjen e fundit të sezonit në shtëpi, para mijëra tifozëve të pranishëm, një Natalie e emocionuar i drejtoi Guardiolës fjalë prekëse: “Ajo që ke bërë për klubin tonë është e pallogaritshme. Manchesteri është blu falë teje, Pep.”
Ndërkohë, Guardiola, 55 vjeç, po kalon një periudhë ndryshimesh edhe në jetën personale, pasi prej vitit 2024 është ndarë nga bashkëshortja e tij Cristina Serra, me të cilën kishte mbi tri dekada lidhje.
Megjithatë, pavarësisht spekulimeve që kanë qarkulluar në media, raportet flasin për një miqësi të sinqertë dhe respekt të ndërsjellë mes trajnerit spanjoll dhe prezantueses së njohur sportive, e ndërtuar gjatë viteve të suksesit të jashtëzakonshëm të Manchester City-t.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: