Problemet me hyrjen në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë për përfaqësuesen e Irakut vetëm pak ditë para nisjes së Botërorit 2026. Pas rastit të sulmuesit Aymen Hussein, i cili u mor në pyetje për shtatë orë në aeroportin O’Hare të Çikagos para se të lejohej të hynte në vend, një tjetër incident ka shkaktuar polemika.
Sipas raportimeve të RMC Sport, fotografit zyrtar të kombëtares irakiane, Talal Salah, i është refuzuar hyrja në SHBA, pavarësisht se posedonte vizë të rregullt dhe akreditim zyrtar nga FIFA.
Fotografi irakian është mbajtur për rreth 12 orë nga autoritetet amerikane dhe në fund është detyruar të largohet nga territori amerikan. Vetë Salah ka publikuar në profilin e tij në Instagram itinerarin e gjatë të kthimit drejt Irakut, që përfshinte udhëtimin nga Çikago në Madrid, më pas një ndalesë në Kajro të Egjiptit dhe në fund mbërritjen në Bagdad.
Ndërkohë, sulmuesi Aymen Hussein, një prej ‘yjeve’ kryesorë të Irakut, do të jetë në dispozicion të skuadrës për Botërorin, edhe pse ai deklaroi se ishte trajtuar “si terrorist” gjatë kontrolleve në aeroport.
Përfaqësuesja irakiane rikthehet në Kupën e Botës për herë të parë që nga edicioni i vitit 1986 në Meksikë. “Luanët e Mesopotamisë” do ta nisin aventurën në Grupin I, më 16 qershor, kundër Norvegjisë. Më pas do të përballen me Francën, më 22 qershor, dhe me Senegalin, më 26 qershor.
Ngjarjet e fundit kanë ngritur diskutime të shumta lidhur me procedurat e hyrjes në SHBA për pjesëmarrësit në Botërorin 2026, ndërsa polemikat vazhdojnë të shtohen para nisjes së turneut.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: