Lajmi i fundit

LIVE/ Dita 9 e protestave në Shqipëri, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Mbyllet çështja ‘Lass’, marrëveshje historike mes FIFA-s dhe Lassana Diarra-së

Mbyllet çështja ‘Lass’, marrëveshje historike mes FIFA-s dhe Lassana Diarra-së

17:08, 08/06/2026

Një prej çështjeve më të diskutueshme juridike në futbollin modern ka marrë fund. FIFA dhe ish-futbollisti francez, Lassana Diarra, kanë arritur një marrëveshje historike, duke mbyllur të gjitha procedurat ligjore mes palëve pas një beteje të gjatë që kishte mbërritur deri në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Europian.

Ish-mesfushori i Realit kishte ngritur padi ndaj FIFA-s për ngjarjet e vitit 2014, kur ai ndërpreu në mënyrë të njëanshme kontratën me Lokomotivën e Moskës. Sipas Diarra-ës, rregullat e FIFA-s që e detyronin të paguante dëmshpërblim cenonin lirinë e konkurrencës dhe lëvizjes së lojtarëve.

Gjykata europiane i kishte dhënë të drejtë futbollistit francez, duke e konsideruar sistemin në kundërshtim me parimet e tregut të lirë. Për këtë arsye, Diarra kërkonte rreth 67 milionë euro dëmshpërblim.

Megjithatë, palët kanë vendosur të arrijnë marrëveshje dhe lojtari ka tërhequr të gjitha paditë. Në një reagim për mediet, FIFA deklaroi:

“Pas marrëveshjes globale të arritur, zoti Lassana Diarra dhe FIFA kanë zgjidhur të gjitha procedurat ligjore mes palëve. FIFA nuk ka pranuar asnjë përgjegjësi dhe nuk ka kryer asnjë pagesë si kompensim”.

Më herët, në vitin 2016, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (TAS) kishte mbështetur vendimin e FIFA-s dhe detyrimin financiar ndaj lojtarit. Për vite me radhë, kjo çështje u konsiderua si një rast që mund të ndryshonte themelet e futbollit europian, në mënyrë të ngjashme me “Ligjin Bosman”.

Pas ndryshimeve dhe zgjidhjeve të gjetura nga FIFA në rregullore, Diarra ka vendosur të mos e vazhdojë më betejën ligjore, duke i dhënë fund një çështjeje që kishte tronditur botën e futbollit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco