Barcelona duket se e ka përcaktuar tashmë emrin që dëshiron të shohë në pankinë pas përfundimit të epokës së Hansi Flick-ut. Sipas raportimeve nga Spanja, Cesc Fabregas është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e katalanasve në të ardhmen.
Aktualisht trajner i Comos, ish-mesfushor i Barcelonës, gëzon mbështetje të plotë nga Komisioni Sportiv i klubit, i udhëhequr nga Deco. Drejtuesit blaugrana e konsiderojnë Fabregasin si profilin ideal për të vazhduar projektin sportiv pas largimit të Flick, kontrata e të cilit pritet të përfundojë në vitin 2028, edhe pse ekziston mundësia e zgjatjes edhe për një sezon tjetër nëse arrihen objektivat.
Sipas mediave spanjolle, Barcelona ka nisur prej kohësh lëvizjet për të siguruar “po”-në e teknikut spanjoll. Madje, klubi ka dërguar muaj më parë në Como Alejandro Echevarrian, bashkëpunëtor i afërt i Joan Laportas dhe Decos, për të diskutuar një marrëveshje të mundshme në të ardhmen. Ideja e klubit është që Fabregas të ketë një klauzolë daljeje në çdo kontratë të ardhshme, në mënyrë që të mund të transferohet lehtësisht te Barcelona pas vitit 2028.
Karriera e Fabregasit si trajner po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje. Ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme me Comon, duke e kthyer skuadrën në një nga surprizat më të mëdha të futbollit italian. Pas ngjitjes në elitë, Como arriti madje të siguronte kualifikimin në Ligën e Kampioneve, sukses që ka rritur ndjeshëm reputacionin e trajnerit spanjoll.
Ndërkohë, një rikthim i Luis Enrique-s te Barcelona duket pothuajse i pamundur. Pavarësisht suksesit të tij të madh me PSG-në dhe triumfit tjetër në Ligën e Kampioneve, paga e lartë dhe mënyra e tij e menaxhimit të skuadrës konsiderohen pengesa serioze për rikthimin në “Camp Nou”.
Në klub besohet se Fabregas përfaqëson profilin ideal për të ardhmen: një trajner modern, me ADN të Barcelonës dhe me ide të qarta për futbollin ofensiv.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: