Vetëm pak ditë pas largimit nga Liverpooli, Arne Slot është rikthyer në qendër të vëmendjes së mediave sportive, teksa emri i tij po lidhet me disa poste të rëndësishme në futbollin evropian.
Trajneri holandez u shkarkua më 30 maj nga drejtuesit e Liverpoolit, pas një sezoni zhgënjyes ku skuadra e mbylli Premierligën në vendin e pestë dhe mbeti pa asnjë trofe. Vendimi erdhi vetëm një vit pasi Sloti kishte udhëhequr “The Reds” drejt titullit kampion në Angli.
Liverpooli ka reaguar shpejt duke emëruar në stol spanjollin Andoni Iraola, ndërsa vetë Slot po vlerëson alternativat për të ardhmen.
Sipas raportimeve të fundit, 46-vjeçari është një nga favoritët për të marrë drejtimin e Fulhamit në rast të largimit të Marco Silvës.
Megjithatë, opsioni që duket se e tërheq më shumë është ai i kombëtares së Holandës.
Gazetari holandez Marcel van der Kraan ka deklaruar se Slot do të ishte i gatshëm të merrte drejtimin e “Tulipanëve” nëse Ronald Koeman largohet pas Kupës së Botës.
Sipas tij, ish-trajneri i Feyenoordit konsiderohet profili ideal për të vazhduar filozofinë tradicionale të futbollit holandez.
Nga ana tjetër, gazetari italian Gianluca Di Marzio raporton se Slot nuk dëshiron të nxitohet dhe po analizon me kujdes çdo mundësi përpara se të marrë vendimin final.
Ndërkohë, një kalim te Milani duket gjithnjë e më i pamundur.
Klubi italian po shqyrton alternativa të tjera për pankinën, ku përmenden emra si Oliver Glasner dhe Mauricio Pochettino.
Pas eksperiencave të suksesshme te Cambuur, AZ Alkmaar, Feyenoord dhe Liverpool, mbetet të shihet se cili do të jetë destinacioni i radhës në karrierën e Arne Slotit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: