Miqësorja me Luksemburgun/ Maran: Rrugëtimi me Kombëtaren kërkon kohë

Miqësorja me Luksemburgun/ Maran: Rrugëtimi me Kombëtaren kërkon kohë

17:04, 05/06/2026

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, doli sot në konferencën për shtyp në prag të sfidës miqësore ndaj Luksemburgut, e cila do të luhet nesër në orën 20:00 në stadiumin “Air Albania”.

Tekniku italian pranoi se skuadra ka ende aspekte për të përmirësuar, por theksoi se koha e shkurtër në krye të kuqezinjve e bën procesin më të vështirë.

“Janë bërë disa gjëra mirë dhe disa të tjera jo aq mirë. Kam vetëm rreth 20 ditë në krye të Kombëtares dhe është ndryshe kur fillon të punosh çdo ditë me lojtarët. Ky është një rrugëtim që kërkon kohë”, deklaroi Maran.

Ai u ndal edhe te mungesa e golave dhe efikasiteti në sulm, duke kujtuar rastet e krijuara në ndeshjen e fundit nga Hoxha, Ramadani dhe Mehmeti.

“Kemi pasur 3-4 raste me rrezikshmëri të lartë para portës. Ndoshta ka munguar vetëm precizioni në momentet vendimtare”, u shpreh trajneri.

Maran theksoi se skuadra duhet të jetë më e ekuilibruar në fazën mbrojtëse, sidomos gjatë ushtrimit të presionit ndaj kundërshtarit, për të mos lënë hapësira të rrezikshme në krahë.

Në fund, ai dha lajme edhe për gjendjen e futbollistëve, duke konfirmuar se Myrto Uzuni është në dispozicion për ndeshjen ndaj Luksemburgut, ndërsa Ernest Mehmeti vazhdon të vuajë pasojat e një gjendjeje gripale.

“Këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme për përgatitjen tonë për sfidat e shtatorit dhe duhet të zbresim në fushë me përqendrim maksimal”, përfundoi Maran.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco