Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, ka folur hapur për rëndësinë e Lionel Messit brenda përfaqësueses, duke zbuluar edhe sa ndikim ka kapiteni në vendimet kyçe.
Scaloni pranoi se roli i Messit shkon përtej fushës, pasi sulmuesi është rregullisht i përfshirë në diskutime që lidhen me zgjedhjet taktike dhe përbërjen e skuadrës.
“Askush nuk e pëlqen të zëvendësohet, përfshirë Messin. Unë nuk marr asnjë vendim pa folur me Messin. Nuk ka kuptim të them se unë jam ai që e komandon gjithçka”, deklaroi Scaloni.
Scaloni shpjegoi se ai dhe Messi komunikojnë vazhdimisht për të qenë në një linjë sa i përket mënyrës se si menaxhohet ekipi.
“Ne gjithmonë diskutojmë çdo hap me të. I kërkoj mendimin, e pyes si ndihet dhe përpiqemi të gjejmë një dakordim”, shtoi ai.
Scaloni theksoi gjithashtu rëndësinë e Messit edhe në fushë, duke nënvizuar se edhe kur nuk është në formën më të mirë fizike, ai mbetet vendimtar.
“Mendoj se kështu duhet të jetë, sepse edhe kur përballet me vështirësi në fushë, ai na jep vlerë të jashtëzakonshme. Është më mirë ta kesh në fushë, sepse ai mund të krijojë dhe të gjenerojë shumë raste”, tha Scaloni.
Messi vazhdon të ketë një rol qendror te Argjentina, teksa ekipi po përgatitet për garat e ardhshme ndërkombëtare.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: