Rasti i çuditshëm dhe i sikletshëm i Cole Palmer-it: në reklamën e Nike për Botërorin, por jo në turne

Rasti i çuditshëm dhe i sikletshëm i Cole Palmer-it: në reklamën e Nike për Botërorin, por jo në turne

13:31, 05/06/2026

Një situatë mjaft e pazakontë dhe disi e sikletshme po përfshin gjigantin Nike vetëm pak ditë para nisjes së Botërorit 2026 në Amerikën e Veriut.

Në reklamën e re të markës amerikane, të titulluar “Rip the Script”, ku marrin pjesë superyje botërorë si Cristiano Ronaldo, Kylian Mbappé dhe LeBron James, futbollisti i vetëm i përzgjedhur për të përfaqësuar Anglinë është Cole Palmer. Problemi? Mesfushori 24-vjeçar i Chelsea-t nuk është grumbulluar nga trajneri Thomas Tuchel për Kupën e Botës dhe do ta ndjekë turneun nga shtëpia.

Spoti publicitar është realizuar në formën e një filmi të shkurtër gjashtëminutësh dhe përfshin edhe personazhe të njohura të kulturës pop si Kim Kardashian, Travis Scott dhe aktori Jason Sudeikis në rolin e famshëm të Ted Lasso.

Në reklamë, Palmer shfaqet pranë reperit britanik, Central Cee, në një ambient të akullt, një referencë e qartë ndaj festimit të tij të famshëm “Cold”. Skenari i videos tregon futbollistët që refuzojnë të ndjekin udhëzimet e një producenti televiziv dhe improvizojnë një reklamë të tyre në ambiente “wild”.

Ironia më e madhe qëndron në faktin se Palmer është një nga figurat kryesore të reklamës globale të Botërorit, ndërkohë që në realitet nuk do të marrë pjesë fare në kompeticion.

Ndërsa Mbappé dhe ‘yjet’ e tjerë po përgatiten për debutimin në Botërorin me 48 skuadra, Palmer është fotografuar në Ibiza duke kaluar pushimet në “Ocean Beach Club” të Wayne Lineker. Futbollisti anglez është parë i relaksuar mes shisheve të vodkës dhe atmosferës festive, i veshur me stil veror, me bluzë të bardhë, pantallona kamuflazhi dhe zinxhir ari në qafë.

Për Palmerin, duket se pushimet janë mënyra më e mirë për të lënë pas zhgënjimin e mungesës në Kupën e Botës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco