Martin Ødegaard ka rrëfyer vendimin që ndryshoi karrierën e tij, duke lënë Real Madridin në vitin 2021 për të gjetur më shumë stabilitet dhe hapësirë për zhvillim, një zgjedhje që sot e ka çuar deri në finalen e UEFA Champions League me Arsenalin.
Norvegjezi, i cili mbërriti te Real Madridi si një talent 16-vjeçar me pritshmëri të mëdha, pranoi se klubi madrilen ishte një ëndërr, por për të ishte e nevojshme të gjente një ambient ku mund të stabilizohej dhe të luante rregullisht.
“Real Madridi ishte ëndërr. Është klubi më i madh në botë, por kisha nevojë të gjeja një vend ku të stabilizohesha,” ka deklaruar ai në një intervistë të mëparshme, duke theksuar se vendimi nuk lidhej me pakënaqësi, por me zhvillimin personal.
Pas eksperiencave huazimi në Holandë dhe Spanjë, Ødegaard u kthye në Madrid, por me pak hapësira në skuadër, duke luajtur vetëm 9 ndeshje përpara se të kalonte tek Arsenali fillimisht në huazim, e më pas në transferim të përhershëm për 35 milionë euro.
Te klubi londinez, trajneri Mikel Arteta i besoi menjëherë rolin e liderit dhe shiritin e kapitenit, duke e kthyer në një nga figurat kryesore të projektit të ri të “Topçinjve”.
Sipas vetë lojtarit, vendimi për t’u larguar nga Madridi ishte i domosdoshëm për të gjetur minuta dhe vazhdimësi: “Kisha nevojë për stabilitet dhe për një ekip që të rritet bashkë,” është shprehur ai.
Edhe pse sezoni aktual ka qenë i vështirë për shkak të dëmtimeve të shumta, Ødegaard mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të Arsenalit, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në stilin e lojës së skuadrës.
Arteta e ka cilësuar atë si “kapitenin dhe lojtarin që i jep ritmin ekipit”, duke theksuar rëndësinë e tij në ndërtimin e aksioneve dhe krijimin e rasteve në fazën ofensive.
Tani, pas një rruge të gjatë zhvillimi, Ødegaard ka mundësinë të shkruajë historinë me Arsenalin, duke synuar trofeun e parë të Champions League në historinë e klubit londinez.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: