Michel Platini ka komentuar deklaratat e Kylian Mbappé-së lidhur me çështjet politike në Francë, duke theksuar se kapiteni i Francës duhet të ruajë neutralitetin kur përfaqëson kombëtaren.
Në një intervistë për radion “RTL”, ish-legjenda e futbollit francez pranoi se sulmuesi i Real Madrid ka të drejtë të shprehë mendimet e tij politike, por sipas tij kjo duhet të ndodhë jashtë kontekstit të ekipit kombëtar.
“Është legjitime të kesh një qëndrim politik, por jo kur mban shiritin e kapitenit apo fanellën e Francës. Kur luan për kombëtaren, përfaqëson të gjithë francezët”, u shpreh Platini.
Debati u ndez pas deklaratave të Mbappé-së, i cili kishte shprehur shqetësimin për situatën politike në Francë dhe mundësinë e ardhjes në pushtet të së djathtës ekstreme, duke theksuar se kjo gjë e prek personalisht dhe mund të ketë pasoja për vendin.
Platini theksoi gjithashtu se sportistët mund të marrin pjesë në debatet shoqërore, por duhet të jenë të vetëdijshëm për ndikimin e fjalëve të tyre. “Është mirë që njerëz inteligjentë të shprehin mendime për shoqërinë, por duhet kujdes, sepse mund të zemërosh gjysmën e botës”, tha ai me ironi.
Ish-presidenti i UEFA-s shtoi se figura si Zidane, Messi apo Cristiano Ronaldo janë më të kujdesshme në këtë drejtim, duke marrë rrallë pozicione publike mbi çështje politike.
Pavarësisht kritikave, Platini e vlerësoi Mbappé si një lojtar që merr përgjegjësi për fjalët e tij dhe theksoi se e ardhmja e Francës në futboll mbetet premtuese, duke e konsideruar kombëtaren një nga favoritët kryesorë për turnetë e ardhshëm.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: