Valverde mohon përleshjen me Tchouamenin: Çava kokën në tavolinë!

Valverde mohon përleshjen me Tchouamenin: Çava kokën në tavolinë!

08:38, 08/05/2026

Situata te Real Madridi vazhdon të jetë shumë e tensionuar pas incidentit të bujshëm mes Federico Valverdes dhe Aurélien Tchouaméni, që ka tronditur ambientin madrilen vetëm pak ditë para “El Clasico”-s ndaj FC Barcelonës. Pas lajmeve të shumta për një përleshje fizike në dhomat e zhveshjes, ka reaguar vetë mesfushori uruguaian, i cili ka mohuar kategorikisht se ai dhe shoku i skuadrës janë goditur mes tyre.

Nëpërmjet një mesazhi të gjatë të publikuar në Instagram, Valverde ka sqaruar versionin e tij të ngjarjes, duke pranuar se tensioni dhe frustrimi i akumuluar nga sezoni kanë sjellë debate të forta brenda ekipit, por pa kaluar në dhunë fizike.

“Dje pata një incident me një shok skuadre gjatë stërvitjes. Lodhja nga gara dhe frustrimi bënë që gjithçka të dukej e ekzagjeruar. Në një dhomë zhveshjeje normale, këto gjëra ndodhin dhe zakonisht zgjidhen brenda grupit pa u bërë publike. Fatkeqësisht, dikush po përhap thashetheme dhe në një sezon pa trofe, ku Reali është gjithmonë në qendër të vëmendjes, çdo gjë zmadhohet”, shkroi uruguaiani.

Megjithatë, tensionet nuk janë ndalur aty. Sipas Valverdes, edhe të enjten ka pasur një tjetër debat mes tij dhe Tchouamenit. Futbollisti sqaroi se gjatë diskutimit ka goditur pa dashje një tavolinë, duke pësuar një prerje të vogël në ballë, çka e detyroi të shkonte në spital për kontrolle rutinë.

“Gjatë debatit godita aksidentalisht një tavolinë dhe kjo më shkaktoi një prerje të vogël në ballë. Për këtë arsye shkova në spital për një vizitë rutinë. Në asnjë moment shoku im i skuadrës nuk më goditi mua dhe as unë nuk e godita atë”, theksoi ai.

Valverde foli edhe për gjendjen emocionale që po kalon skuadra pas eliminimit nga UEFA Champions League dhe me titullin e La Liga që tashmë duket shumë pranë Barcelonës së trajnerit Hansi Flick. Madje katalanasit mund të sigurojnë matematikisht titullin pikërisht në “El Clasico”-n e së dielës.

Mesfushori uruguaian pranoi se zemërimi dhe zhgënjimi për një tjetër sezon të dështuar kanë ndikuar në situatën e krijuar. “Kjo është një situatë që më dhemb shumë. Reali është një nga gjërat më të rëndësishme në jetën time dhe nuk mund të qëndroj indiferent”, u shpreh ai.

Në fund, Valverde deklaroi se do të pranojë çdo vendim të klubit lidhur me këtë çështje dhe se mbetet në dispozicion të skuadrës dhe drejtuesve për të bashkëpunuar plotësisht.

Ndërkohë, Reali publikoi edhe raportin mjekësor për lojtarin. Sipas komunikatës zyrtare, pas ekzaminimeve të kryera nga stafi mjekësor, Valverde është diagnostikuar me një dëmtim traumatik në kokë dhe do të duhet të qëndrojë në pushim për 10 deri në 14 ditë, sipas protokolleve mjekësore. Kjo do të thotë se uruguaiani do të mungojë në sfidën shumë të rëndësishme ndaj Barcelonës, një goditje e rëndë për skuadrën madrilene në momentin më delikat të sezonit.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco