Botërori 2026 po shoqërohet me polemika edhe para nisjes së tij, këtë herë për shkak të situatës shëndetësore në Republikën Demokratike të Kongos, ku shpërthimi i virusit Ebola ka krijuar kufizime të forta udhëtimi për qytetarët.
Sipas raportimeve nga mediet lokale, masat e marra për frenimin e përhapjes së virusit kanë ndikuar drejtpërdrejt në lëvizjet ndërkombëtare, duke e bërë shumë të vështirë apo pothuajse të pamundur udhëtimin e tifozëve kongolezë drejt Shteteve të Bashkuara, ku do të zhvillohet turneu.
Situata prek veçanërisht ata tifozë që kanë blerë tashmë bileta dhe kanë bërë rezervime për të ndjekur ndeshjet e kombëtares së tyre. Problemi më i madh mbetet çështja e rimbursimeve, pasi deri tani FIFA nuk ka dhënë ende një sqarim zyrtar për mënyrën se si do të trajtohen rastet kur tifozët nuk mund të udhëtojnë për arsye të forcës madhore.
Mungesa e një qëndrimi të qartë ka shtuar pakënaqësinë dhe kritikat, duke krijuar një klimë pasigurie në prag të një prej ngjarjeve më të mëdha sportive në botë. Për shumë tifozë, rreziku për të humbur jo vetëm ndeshjet, por edhe paratë e investuara, ka ngritur shqetësime serioze.
Ndërkohë, organizatorët e Botërorit po përballen me presion në rritje për të gjetur një zgjidhje që garanton transparencë dhe mbrojtje për tifozët në situata të tilla të jashtëzakonshme.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: