Ndeshja mes Tiranës dhe Elbasanit pritet të jetë një nga përballjet më interesante të javës së 27-të në Superiore. Takimi do të luhet të dielën, më 8 mars, prej orës 15:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”, në një moment shumë të rëndësishëm për të dyja skuadrat.
Klubi i Tiranës ka vendosur të bëjë një hap të rëndësishëm për të pasur sa më shumë mbështetje nga tribunat. Bardheblutë u kanë bërë thirrje tifozëve të jenë pranë skuadrës në këtë moment delikat të sezonit, ndërsa kanë vendosur edhe çmime më të ulëta të biletave, në mënyrë që stadiumi të mbushet sa më shumë.
Sipas njoftimit të klubit, bileta për sektorin H, e cila më parë kushtonte 500 lekë, tashmë mund të blihet me vetëm 300 lekë. Ky vendim është marrë për të lehtësuar praninë e tifozëve në stadium dhe për të krijuar një atmosferë sa më të zjarrtë në mbështetje të skuadrës. Ndërkohë, drejtuesit bardheblu kanë mbajtur çmime të përballueshme edhe për tifozët miq që do të mbështesin Elbasanin.
Sfida pritet me interes edhe për shkak të situatës në renditje. Elbasani ndodhet vetëm pesë pikë larg vendit të parë që mbahet nga Vllaznia, duke mbetur një nga pretendentët seriozë për titullin kampion këtë sezon.
Në anën tjetër, Tirana përballet me një situatë më të vështirë në tabelë. Bardheblutë mbajnë aktualisht vendin e parafundit dhe janë në kërkim të pikëve jetike për të siguruar mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: