FSHF zhvillon takim konsultues me klubet për strukturën e Superiores dhe Kategorisë së Parë

FSHF zhvillon takim konsultues me klubet për strukturën e Superiores dhe Kategorisë së Parë

14:49, 22/06/2026

Departamenti i Garave dhe Komisioni i Ligave dhe Garave në FSHF zhvilluan sot një takim konsultues me përfaqësuesit e klubeve të “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë, në kuadër të diskutimeve për strukturën dhe skemën e kampionateve për sezonet 2026-2027, 2027-2028 dhe 2028-2029.

Takimi u organizua në vazhdën e procesit të analizës dhe përmirësimit të vazhdueshëm të garave kombëtare, me synimin për të rritur cilësinë, konkurrueshmërinë dhe atraktivitetin e futbollit shqiptar.

Në bashkëpunim të ngushtë me UEFA-n dhe kompaninë ndërkombëtare të specializuar për hartimin e formateve të kampionateve, Hypercube, Drejtori i Garave në FSHF, Marjus Sulejmani, prezantoi një propozim për formatin e ri të kampionatit.

Ky propozim synon reduktimin e numrit të ndeshjeve pa objektiv sportiv në periudha të caktuara të sezonit, rritjen e konkurrueshmërisë dhe angazhimit të klubeve në të gjitha fazat e garës, si dhe përmirësimin e përgatitjes së skuadrave shqiptare për pjesëmarrjen në kompeticionet europiane përmes ndeshjeve me rëndësi të lartë sportive.

Gjithashtu, formati i propozuar synon krijimin e një produkti gare më dinamik dhe më tërheqës për tifozët, transmetuesit dhe partnerët komercialë, duke ruajtur interesin sportiv për objektivat e kampionatit deri në fund të sezonit.

Gjatë takimit, drejtuesit e klubeve të pranishme ndanë opinionet dhe sugjerimet e tyre lidhur me propozimin e paraqitur.

Të gjitha rekomandimet dhe komentet e mbledhura do t’i paraqiten Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, i cili do të shqyrtojë propozimet dhe do të marrë vendimin përfundimtar për strukturën dhe skemën e kampionateve “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë për sezonet 2026-2027, 2027-2028 dhe 2028-2029.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco