Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, foli në konferencën për shtypin në prag të ndeshjes së kampionatit kundër Pisa-s, duke analizuar momentin e skuadrës, gjendjen e disa lojtarëve dhe perspektivën për fundin e sezonit.
Tekniku bardhezi u shpreh optimist për atë që e pret skuadrën në javët e ardhshme, duke vlerësuar reagimin e futbollistëve në periudhat më të vështira të sezonit.
“Kam thënë se mund të bëjmë një fund shumë të mirë sezoni, sepse edhe në vështirësi kemi treguar gjëra që i përkasin një skuadre të vërtetë. Pikërisht në këto momente zbulohet karakteri i ekipit. Na kanë shkuar kundër shumë episode njëherësh, por dëshira e lojtarëve për të luftuar më bën optimist për fundin e kampionatit”, deklaroi Spalletti.
Ai shtoi se tani kalendari do të jetë më i balancuar dhe se skuadra po rikuperon energjitë fizike dhe mendore, ndërsa disa lojtarë janë drejt rikthimit.
Spalletti konfirmoi se sulmuesi kryesor i skuadrës, Dusan Vlahovic, nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës. “Vlahovic nuk do të jetë në dispozicion nesër, synimi është që të rikthehet në ndeshjen ndaj Udineses”, tha ai. Ndërkohë, për mbrojtësin Federico Gatti konfirmoi se është i gatshëm, ndërsa mbrojti portierin Michele Di Gregorio nga kritikat: “Më ka ardhur keq për kritikat ndaj Di Gregorios, sepse është e kotë të bëhen gjykime kur problemet kanë qenë të gjithë skuadrës”.
Trajneri bardhezi foli edhe për talentin turk Kenan Yildiz, duke theksuar karakterin e tij: “Talenti pa karakter nuk arrin larg, por ai i ka të dyja dhe po tregon gjëra shumë të rëndësishme edhe në një moment të vështirë për skuadrën”.
Sa i përket përballjes me Pisa-n, Spalletti paralajmëroi për rrezikun e nënvlerësimit: “Është një ndeshje shumë e vështirë sepse të gjithë mendojnë se është e lehtë. Nëse një lojtar mendon kështu, bëhet i sipërfaqshëm dhe arrogant, dhe pastaj mund të godasësh murin”.
Në fund ai foli edhe për të ardhmen e tij në klub: “Për kontratën time kemi folur tashmë me klubin. Ajo që ka rëndësi është të bëjmë mirë punën tonë, jo të kemi një kontratë për ta treguar”. Spalletti vlerësoi edhe rinovimin e kontratës së Weston McKennie, duke theksuar: “McKennie është një lojtar shumë i fortë dhe një person shumë i mirë. Do të çuditesha nëse klubi do të mendonte ndryshe për të”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: